Gjykata dënon me 25 vjet burgim të akuzuarin për vrasjen e një personi para një viti në Gjilan

Gjykata dënon me 25 vjet burgim të akuzuarin për vrasjen e një personi para një viti në Gjilan

Kronika November 14, 2025 - 14:33

Gjykata Themelore në Gjilan ka shpallur aktgjykim dënues ndaj të akuzuarve V. S. dhe F. M., për veprat penale “Vrasje e rëndë”, “Mbajtja në pronësi, kontroll të armëve” dhe “Dhënia e ndihmës kryesve pas kryerjes së veprave penale”.

Më datë 07.11.2024, rreth orës 14:00, i akuzuari V. S. në Gjilan, në rrugën “Mërgimtarët e Gjilanit”, në parkingun e objektit banesor “Gëzimi 3”, përballë lokalit berber shop “Donisi”, me dashje e në shenjë hakmarrjeje për shkak të një konflikti fizik të ndodhur para dy viteve, e ka privuar nga jeta tani të ndjerin S. O., nga fshati Vërbicë, Komuna e Gjilanit, në atë mënyrë që me të arritur me biçikleta të pandehurit V. S. dhe F. M., përballë lokalit berber shop “Donisi”, aty i pandehuri V. e vëren të ndjerin S., i cili ishte duke hyrë në veturë, me ta vërejtur përnjëherë e repetit revolen e prodhimit “Zoraki”, i ofrohet afër dhe me një predhë e godet të ndjerin S. në anën e pasme të shpinës (komblikut), me ç’rast i ndjeri rrëzohet në tokë, e derisa ishte i rrëzuar, ofrohet i pandehuri V., e godet dy herë me grusht dhe një herë me shqelm, e më pas të pandehurit me shpejtësi largohen në drejtim të panjohur, derisa i ndjeri S. O. vdes.

“Në kohë të papërcaktuar e deri më datë 12.11.2024, rreth orës 18:20 minuta, në Gjilan, ka mbajtur në pronësi në mënyrë të paautorizuar armë zjarri dhe atë një revole e prodhimit ‘Zoraki’, modeli M-917-T, e kalibrit 9x17 mm, me numër serik A3YZR16YS01-2303343, në atë mënyrë që pasi arrestohet i pandehuri Valmir, i njëjti e dorëzon pistoletën e lartcekur, me ç’rast sekuestrohet nga Policia e Kosovës”.

“Më këto veprime i pandehuri V. S. ka kryer veprat penale vrasje e rëndë dhe mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve, vepra të sanksionuara me Kodin Penal të Republikës së Kosovës”, thuhet në vendim.

I akuzuari F. M. nga data 07.11.2024 e deri më datë 12.11.2024, në Gjilan, në vende të ndryshme me dashje ka ndihmuar të pandehurin V. S. në fshehjen - mos zbulimin e kryesit të veprës penale të vrasjes së rëndë, në atë mënyrë që edhe për kundër asaj që ishte prezentë kur i pandehuri V., shtënë një herë me revole në të ndjerin S. O., e të cilin edhe e godet me grusht dhe shqelm derisa tani i ndjeri ishte i rrëzuar në tokë, dy të pandehurit së bashku me biçikleta në shpejtësi largohen nga vendi i ngjarjes, shkojnë në shtëpinë e pa banuar i lënë biçikletat, dalin së bashku hipin në një taksi, shkojnë tek rrethi i spitalit rajonal, aty zbresin e më pas hipin prapë në një taksi tjetër dhe shkojnë në drejtim të fshatit Livoç i Ultë, me ç’rast aty rrinë të fshehur deri me datë 12.11.2024, kur dorëzohen në polici, në këtë mënyrë i pandehuri F., e ka ndihmuar të pandehurin V. në fshehjen e tij.

Me këto veprime ka kryer veprën penale “Dhënia e ndihmës kryesve pas kryerjes së veprave penale”, vepër e sanksionuar me Kodin Penal të Republikës së Kosovës.

Tutje thuhet se, trupi gjykues pas shtjellimit të gjitha provave dhe dëgjimit të dëshmitarëve, të akuzuarin V. S. për veprën penale vrasje e rëndë dhe mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve, i shqipton dënim unik në kohëzgjatje prej 25 (njëzetë e pesë) vitesh burgim, ndërsa të akuzuarin F. M., për veprën penale dhënia e ndihmës kryesve pas kryerjes së veprave penale, i shqipton dënim me burgim në kohëzgjatje prej 8 (tetë) vitesh.

Gjykata ka nxjerrë aktvendim të veçantë me të cilin i vazhdohet masa paraburgimit të pandehurve V. S. dhe F. M., derisa ky aktgjykim të bëhet i formës së prerë, por jo më gjatë se dënimi i shqiptuar.

Palët e pakënaqura kanë të drejtën e ankesës ndaj të këtij Aktgjykimi, pas pranimit të të njëjtit në Gjykatën e Apelit. /Zëri