Gjenden pa shenja jete një burrë në Gjilan dhe një grua në Prizren, Policia nis hetimet

Gjenden pa shenja jete një burrë në Gjilan dhe një grua në Prizren, Policia nis hetimet

Kronika November 14, 2025 - 08:33

Dy raste të ndara vdekjeje janë raportuar gjatë 24 orëve në Gjilan dhe Prizren, ku një burrë dhe një grua janë gjetur pa shenja jete në rrethana ende të paqarta.

Sipas Policisë së Kosovës, rasti i parë është shënuar në orët e hershme të mëngjesit të së enjtes në Gjilan. Rreth orës 05:10, një burrë është gjetur i vdekur në shtëpinë e tij. Ekipet policore dhe ato mjekësore kanë dalë menjëherë në vendin e ngjarjes, ku mjekët kanë konstatuar vdekjen. Me urdhër të prokurorit, trupi është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për obduksion, ndërsa janë konfiskuar provat materiale të nevojshme për hetim, transmeton Zeri.info.

Rasti i dytë është raportuar po ashtu të enjten rreth orës 08:00 në Prizren, ku një grua është gjetur pa shenja jete në një shtëpi. Edhe në këtë rast, ekipet mjekësore kanë konstatuar vdekjen në vendngjarje, ndërsa trupi i saj është dërguar për obduksion me vendim të prokurorit.

Policia njofton se të dy rastet janë duke u hetuar për të sqaruar rrethanat dhe shkaqet e vdekjeve. /Zëri