Korrupsion me projektet e lapidarëve të dëshmorëve, aktakuzë kundër dy zyrtarëve të Komunës së Suharekës
Prokuroria Themelore në Prizren, Departamenti i Krimeve të Rënda, ka ngritur kundër të pandehurve A.E. dhe L.G., për shkak të dyshimit të bazuar mirë se të njëjtët në cilësi të personave zyrtarë kanë kryer veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës ose autoritetit zyrtar”.
Sipas aktakuzës, nga data 20.10.2023 e në vazhdim, të pandehurit e lartpërmendur lidhur me projektin për ndërtimin e lapidarëve në fshatrat Studenqan, Vraniq dhe Dubravë, të njëjtët duke shfrytëzuar detyrën apo autoritetin zyrtar, i tejkalojnë kompetencat e tyre dhe nuk i përmbushin detyrat e tyre zyrtare, ashtu që i pandehuri i parë A.E., në cilësinë e menaxherit të kontratës ka urdhëruar operatorin ekonomik të ndryshojë projektin dhe të realizojë punët që nuk kanë qenë në projekt duke ndryshuar projektin gjatë ekzekutimit, duke anashkaluar zyrën e prokurimit dhe zyrën e autoritetit kontraktues, ndërsa e pandehura e dytë L.G., mbikëqyrëse e drejtpërdrejtë, i ka pranuar të gjitha këto shkelje të menaxherit të kontratës, me qëllim që të mundësojnë përfitim për operatorin ekonomik duke konfirmuar me nënshkrimin e tyre të dhënat e pavërteta për pagesën e vlerës prej 41.270.00 €, si dhe për përfundim të punimeve të datës 22.12.2023 në vlerë prej 7.377.20 € edhe pse nuk është realizuar asnjë punim në ndërtimin e lapidarit në fshatin Studenqan, duke i shkaktuar dëm buxhetit të Komunës së Suharekës.
“Me këto veprime të njëjtët kanë kryer veprën penale ‘Keqpërdorimi i pozitës ose autoritetit zyrtar’, sipas KPRK-së”.
“Prokurori i çështjes me rastin e ngritjes së aktakuzës i ka propozuar gjykatës që pas mbajtjes së shqyrtimit gjyqësor, administrimit të provave dhe vlerësimit të tyre, të pandehurit e lartcekur për veprën penale, për të cilën akuzohen të shpallen fajtorë dhe të dënohen sipas ligjit dhe ndaj personave zyrtarë të shqiptohet dënimi plotësues - ndalimi i ushtrimit të funksioneve në administratën publike ose në shërbimin publik”, ka njoftuar Prokuroria. /Zëri