Pronat shtetërore i kthej në private, arrestohet i dyshuari në Prishtinë për falsifikim dokumentesh
Foto: Zëri / Ilustrim

Pronat shtetërore i kthej në private, arrestohet i dyshuari në Prishtinë për falsifikim dokumentesh

Kronika November 02, 2025 - 10:01
Arrestohet i dyshuari për falsifikim dokumentesh dhe mashtrim me prona të AKP-së

Policia e Kosovës gjatë ditës së djeshme ka arrestuar një person në Prishtinë, nën dyshimin për një sërë veprash penale, përfshirë falsifikim dokumentesh, legalizim të përmbajtjes së rreme, mashtrim dhe armëmbajtje pa leje.

Sipas raportit ditor të Policisë, i arrestuari dyshohet se në periudhën 2021–2024, ka qenë i përfshirë në një skemë të ndërlikuar të falsifikimit të dokumenteve që lidhen me prona të menaxhuara nga Agjencia Kosovare e Privatizimit (AKP). Në bashkëpunim me persona të tjerë, ai dyshohet se ka falsifikuar dokumente për t’i bartur pronat nga statusi shtetëror në pronësi private, e më pas i ka shitur ato, duke mashtruar blerësit dhe përfituar shuma të mëdha parash.

Gjatë operacionit policor, janë bastisur një shtëpi, tri banesa dhe dy garazhe, ku janë gjetur dhe konfiskuar dokumente të shumta që lidhen me falsifikime, si dhe pajisje që dyshohet se janë përdorur për prodhimin e dokumenteve të rreme.

Policia ka sekuestruar gjithashtu një pistoletë me 103 fishekë, një telefon celular, një orë dore “Rolex” dhe një zinxhir dore “Rolex”.

I dyshuari është dërguar në mbajtje.

Raporti i plotë i Policisë, pa ndërhyrje:

FALSIFIKIM I DOKUMENTIT & LEGALIZIM I PËRMBAJTJES SË RREME & MASHTRIM & ARMËMBAJTJE PA LEJE

Prishtinë / 2021-2024. Më 01.11.2025 është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar për shkak të dyshimit se ka kryer veprat penale të cekura më lartë. Dokumentet dyshohetet se janë falsifikuar lidhur me pronat e përfshira që kanë qenë nën menagjimin e AKP-së të cilat prona përmes dokumenteve të falsifikuara i dyshuari në bashkëkryerje me persona tjerë kanë arritë ti falsifikojnë dokumentet që në procedura për bartje dhe legalizim i kanë bartur nga prona shtetërore në pronësi private, pastaj i kanë shitur duke mashtruar blerësit dhe nga këto para kanë përfituar shuma të mëdha financiare. Janë bërë kontrolla në një shtëpi, tri banesa dhe dy garazha ku janë konfiskuar dokumente të ndryshme që kanë lidhje me falsifikime si dhe pajisje që janë përdorë për falsifikimin e dokumenteve. Gjatë operacionit është konfiskuar një pistoletë me 103 fishek, një telefon celular, një orë dore rolex dhe një zingjir dore rolex. I dyshuari pas intervistimit me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje. /Zëri