I dënuar me 35 vite burg, por ndodhej në liri, Alliaj zbrazi drejt kushëririt 6 plumba
Bertil Alliaj është autori i dyshuar për vrasjen e kushëririt të tij Dalan Alliaj 36-vjeç mbrëmjen e së premtes në fshatin Gjorm të Vlorës.
News 24 njofton se viktima u qëllua me 6 plumba, një prej të cilëve më pranë zemrës.
Kontrollet janë shtrirë në vargmalet e fshatit Gjorm si dhe janë ngritur pika kontrolli deri në Selenicë, pasi autori i dyshuar është njohës i mirë i zonës.
Nuk dihen akoma shkaqet e kësaj vrasje, pasi nëse do të ishte i mirëorganizuar, autori do të kishte një makinë me të cilën do të largohej dhe më pas do ta digjte makinën.
Viktima njihej si biznesmen korrekt dhe jetonte në Levan të Fierit.
Policia njoftoi më herët se nga veprimet e para hetimore është bërë e mundur identifikimi i autorit të dyshuar të ngjarjes, shtetasit Bertil Alliaj i cili dyshohet se në fshatin Gjorm ka vrarë me armë zjarri kushëririn e tij, shtetasin D. A.
Pas kryerjes së krimit, shtetasi Bertil Alliaj është larguar drejt zonës malore përreth, ku dyshohet se fshihet.
Strukturat e Drejtorisë Vendore të Policisë Vlorë po vijojnë punën intensive për lokalizimin dhe kapjen e autorit të dyshuar, ndërsa nën drejtimin e Prokurorisë vijojnë veprimet hetimore për dokumentimin e plotë të ngjarjes.