
Aksioni i Prokurorisë dhe Policisë në Pejë, mbyllen shtatë vendpunime për shkelje të sigurisë në punë
Prokuroria Themelore në Pejë, në koordinim me Policinë e Kosovës dhe nën asistencën e Inspektoratit të Punës, ka zhvilluar një aksion në 20 lokacione në Pejë, Klinë, Istog dhe Deçan, duke kontrolluar punimet në banesa kolektive për sigurinë e punëtorëve dhe qytetarëve.
Aksioni, i udhëhequr nga Kryeprokurorja Lumturije Vuçetaj dhe me pjesëmarrjen e 9 prokurorëve dhe 60 zyrtarëve policorë, ka zbuluar parregullsi në të gjitha vendet e inspektuara. Si rezultat, janë mbyllur shtatë vendpunime – dy në Pejë, tre në Istog, një në Klinë dhe një në Deçan – dhe janë shoqëruar personat përgjegjës nga kompanitë kontraktuese.
Në rastet ku janë evidentuar elemente të veprave penale, janë iniciuar procedime për shkelje të Kodit Penal të Kosovës për “Asgjësimin, dëmtimin ose heqjen e pajisjeve mbrojtëse dhe rrezikimin e sigurisë në vendin e punës”. Gjithashtu, institucionet relevante janë njoftuar për përpilimin e raporteve dhe marrjen e veprimeve ligjore për punimet e kundërligjshme.
Prokuroria Themelore e Pejës thekson se vetëm gjatë gjashtë muajve të parë të vitit 2025 janë pranuar 19 raste për të njëjtën vepër penale, ku fatkeqësisht tre punëtorë kanë humbur jetën dhe 16 të tjerë kanë pësuar lëndime të rënda.
Institucioni bën apel te qytetarët që të raportojnë raste të tilla, për të garantuar që shkelësit e ligjit të ndiqen penalisht dhe të vendosen para drejtësisë./Telegrafi/