
Dy 19-vjeçarë kapen duke bërë gara shpejtësie në Ferizaj, njërit i konfiskohet vetura
Dy të rinj janë ndëshkuar nga Policia e Kosovës, pasi janë kapur në flagrancë duke zhvilluar gara shpejtësie në rrugën “Driton Islami” në Ferizaj mbrëmjen e së mërkurës.
Sipas Policisë Rajonale të Ferizajt, shoferi L.Q., 19-vjeçar me veturë të tipit BMW dhe targa të huaja, është ndaluar duke marrë pjesë në gara të paligjshme dhe është gjobitur me 1 mijë euro.
Shoferi tjetër, Y.T., 19-vjeçar po ashtu me veturë BMW me targa të huaja, është kapur duke garuar dhe është dënuar me gjobë prej 500 eurosh, ndalim të së drejtës për të drejtuar automjet në Kosovë për 12 muaj, gjobë shtesë prej 500 eurosh dhe masë mbrojtëse (6 muaj ndalim drejtimi), për shkak të një mase mëhershme aktive (10.08 – 09.11.2025) dhe konfiskim të veturës.
Policia apelon te të gjithë shoferët të respektojnë rregullat e komunikacionit, me qëllim të ruajtjes së sigurisë së pjesëmarrësve në trafik.