
Përdorën armë zjarri në ahengje familjare, arrestohen tre persona në rajonin e Prizrenit
Policia në rajonin e Prizrenit ka ndaluar tre persona të dyshuar për përdorim të armëve gjatë ahengjeve familjare.
Nga ky aksion janë sekuestruar katër armë zjarri dhe Policia thotë se përdorimi i tyre paraqet rrezik të përgjithshëm për sigurinë publike, raporton Zeri.info.
Rasti i parë është në fshatin Romaj të Hasit, ku i dyshuari ka pranuar se përveç armës së sekuestruar, posedonte edhe një tjetër armë në shtëpi, që ishte përdorur në ahengun familjar.
Bëhet e ditur se personit të dyshuar i është sekuestruar edhe arma e dytë.
Rasti i dytë është raportuar në fshatin Semetisht të Suharekës, ku hetuesit policorë kanë identifikuar lokacionin dhe në bisedë me pronarin e shtëpisë është konfirmuar se të shtënat janë kryer nga pjesëmarrësit në dasmë.
Policia njofton se në vendin e ngjarjes janë sekuestruar tri armë zjarri dhe 16 gëzhoja.
Në vendin e ngjarjes janë sekuestruar: 3 armë zjarri – pistoleta, si dhe 16 gëzhoja.
“Tre të dyshuari janë intervistuar në prani të avokatëve mbrojtës dhe, me urdhër të prokurorit kujdestar, janë ndaluar për 48 orë”, thuhet në njoftim. /Zëri