Vdekja e 52-vjeçares në Pogradec, Policia: Nuk ishte asfiksia, në trupin e saj kishte dëmtime të shkaktuara me thikë

Vdekja e 52-vjeçares në Pogradec, Policia: Nuk ishte asfiksia, në trupin e saj kishte dëmtime të shkaktuara me thikë

Kronika July 29, 2025 - 10:27

Policia e Shtetit ka dhënë detaje nga rasti i vrasjes së 52-vjeçares në Pogradec, ku fillimisht u raportua si vdekje nga asfiksia.

Në njoftimin për media bëhet e ditur se si rezultat i hetimeve të shpejta dhe profesionale janë zbardhur rrethanat dhe autorësia e ngjarjes së ndodhur të hënën në Pogradec.

“Si rezultat i hetimeve profesionale dhe të shpejta, të kryera nga specialistët e Drejtorisë Vendore të Policisë Korçë, në drejtimin e Prokurorisë së Korçës, u bë e mundur zbardhja e rrethanave të ngjarjes së ngjarjes së ndodhur më datë 28.07.2025, në lagjen nr. 1, Pogradec, e cila fillimisht u raportua si aksidentale pasi u dyshua se 52-vjeçarja kishte humbur jetën nga asfiksia gjatë djegies së banesës së saj.

Shërbimet e Policisë, gjatë veprimeve hetimore dhe këqyrjes së jashtme të trupit të pajetë, kanë krijuar dyshime se shkaku i humbjes së jetës së 52-vjeçares nuk ishte asfiksia, sepse në trupin e saj konstatuan dëmtime të dyshuara të shkaktuara me mjet prerës (thikë)”, thuhet në njoftim.

Në vijim të veprimeve të thelluara hetimore, të kryera në drejtimin e Prokurorisë e Korçës, bazuar dhe në pamjet filmike, është bërë i mundur identifikimi i autorit të dyshuar të ngjarjes, shtetasit I. S., 31 vjeç, banues në Pogradec, i cili dyshohet se ka pasur lidhje intime me 52-vjeçaren, prej tre vjetësh.

Shtetasi I. S. dyshohet se ka vrarë me thikë shtetasen K. T., 52 vjeçe, i ka vënë zjarrin banesës së saj dhe është larguar nga banesa, rreth orës 05:00.

Në përfundim të veprimeve është arrestuar në flagrancë shtetasi I. S., 31 vjeç, banues në Pogradec, për veprën penale “Vrasja për shkak të marrëdhënieve familjare”.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Korçë, për veprime të mëtejshme.