
Gjuajti me armë zjarri në një dasmë, arrestohet 24-vjeçari në Gjilan
Është arrestuar një 24-vjeçar në Gjilan, pasi dyshohet se ka gjuajtur me armë zjarri në një dasmë.
Policia ka bërë të ditur se nga i dyshuari në këtë rast janë konfiskuar një pistoletë dhe një karikator i zbrazët.
“Drejtoria Rajonale e Policisë Gjilan, Stacioni Policor Gjilan, më datën 21.07.2025, përmes rrugëve operative ka pranuar informacion se më 20.07.2025 ka pasur të shtëna me armë zjarri në një lagje të qytetit të Gjilanit. Njësitet policore kanë arritur që të lokalizojnë vendin e ngjarjes, ku kanë takuar të dyshuarin Ç.S., (viti i lindjes 2001, mashkull kosovar) i cili dyshohet se gjatë një ahengu familjar (dasmë) ka shtënë me armë zjarri”.
“Nga i dyshuari në këtë rast janë konfiskuar një (1) armë pistoletë e llojit ‘Zorki’ e kalibrit 9 mm dhe një karikator i zbrazët. I dyshuari është arrestuar dhe shoqëruar në stacionin policor Gjilan, ku është intervistuar në prani të avokatit mbrojtës. Me urdhër të prokurorit të Shtetit rasti cilësohet ‘Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve’”, thuhet tutje në njoftimin e Policisë.