“M’i jep 5000 euro ose i tregoj burrit tënd”, Prokuroria e Gjakovës kërkon paraburgim ndaj dy personave për shantazh

“M’i jep 5000 euro ose i tregoj burrit tënd”, Prokuroria e Gjakovës kërkon paraburgim ndaj dy personave për shantazh

Kronika July 20, 2025 - 12:29

Prokuroria Themelore në Gjakovë ka kërkuar caktimin e masës së paraburgimit prej 30 ditësh ndaj dy të dyshuarve me inicialet A.T. dhe V.H., të cilët po hetohen për veprën penale të shantazhit.

Sipas njoftimit të Prokurorisë, ndaj dy të pandehurve është marrë aktvendim për fillimin e hetimeve, ndërsa kërkesa për paraburgim është dorëzuar në Gjykatën Themelore në Gjakovë.Në komunikatë thuhet se “ekziston dyshimi i bazuar se të pandehurit A.T. dhe V.H., të koordinuar paraprakisht në mes vete, me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore për vete, kanosin personin tjetër – këtu të dëmtuarën B.H., se do të zbulojnë diçka në lidhje me të, që do të dëmtojë rëndë nderin dhe autoritetin e saj.”Sipas Prokurorisë, ngjarja ka ndodhur më 18 korrik 2025, kur e dyshuara V.H. e ka kontaktuar të dëmtuarën dhe i ka kërkuar para në këmbim të heshtjes.“Unë kam fakte që ti ke kaluar me 2-3 persona dhe nëse nuk mi dërgon 5000 euro, këto prova do t’ia dërgoj burrit tënd”, i kishte thënë e pandehura viktimës, sipas përshkrimit të Prokurorisë.

Më tej thuhet se, pas komunikimeve të përsëritura, e dëmtuara kishte pranuar të dorëzonte shumën e kërkuar, duke e vendosur atë në një palë pantallona në katin e tretë të një qendre tregtare në Gjakovë, siç ishte udhëzuar nga e dyshuara.

“Vjen i bjen në qendrën tregtare V., në katin e tretë, leje dikund në tesha, më trego ku janë dhe shkoj i marr”, citohet të ketë thënë V.H., e cila, sipas Prokurorisë, ka vepruar në koordinim të plotë me bashkëpandehurin A.T., të cilin e ka njoftuar për çdo hap.Pasi ka marrë zarfin me para, e pandehura ka tentuar të largohet nga vendi i ngjarjes, por është ndaluar nga Policia.

“Kur e verën një zyrtar policor, tenton të largohet duke e hedhur zarfin në tokë të cilin ende nuk e kishte hapur”, thuhet në njoftim. Pak minuta më vonë është arrestuar edhe A.T., i cili po ashtu kishte arritur në vendin e ngjarjes.

Të dy të pandehurit po hetohen për veprën penale “Shantazhi”, nga neni 329 paragrafi 1, në lidhje me nenet 31 dhe 28 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Prokuroria Themelore në Gjakovë ka theksuar se vazhdon të mbetet e përkushtuar në luftën ndaj kriminalitetit, forcimin e sundimit të ligjit dhe vënien para drejtësisë të të gjithë atyre që bien ndesh me ligjin.