Suspendohet një polic në Gjakovë për rrjedhje të informatës
Foto: Zëri / Ilustrim

Suspendohet një polic në Gjakovë për rrjedhje të informatës

Kronika July 18, 2025 - 13:18

Policia e Kosovës ka suspenduar një zyrtar policor për 72 orë, mbi dyshimin për rrjedhje të informatës zyrtare në Gjakovë.

Sipas një njoftimi për media, Policia e Republikës së Kosovës (PK), përpos prioriteteve në përmbushjen e objektivat strategjike të parapara, rendësi të veçantë i kushton edhe çështjeve që ndërlidhen me performancën në punë, integritetin, disiplinën, përgjegjësinë, si dhe llogaridhënien e zyrtarëve policorë.

“Drejtoria Rajonale në Gjakovë, pas veprimeve operativo-hetimore, me qëllim të verifikimit të informatës, ka identifikuar një zyrtar policor, punonjës në Stacionin Policor në Gjakovë, i cili është suspenduar për 72 orë, mbi dyshimin e bazuar për rrjedhje të informatës zyrtare”, thuhet në njoftim.

Siç thuhet në njoftim, lidhur më rastin të gjitha veprimet e mëtejme do të merren në koordinim dhe bashkëpunim të ngushtë me institucionet kompetente, duke përfshirë Inspektoratin Policor të Kosovës. /Zëri