Operacioni “Blloku” arreston katër persona dhe sekuestron drogë në vlerë 15 mijë euro

Operacioni “Blloku” arreston katër persona dhe sekuestron drogë në vlerë 15 mijë euro

Kronika March 25, 2025 - 14:50

Policia e Kosovës ka bërë të ditur sot se, pas pranimit të informacioneve se persona të dyshuar dyshohet se janë duke u marrë me shitblerjen e narkotikëve, ka ndërmarrë veprime hetimore dhe operative në terren, me ç’rast gjatë një operacioni policor të koduar “Blloku” kanë arrestuar katër persona të dyshuar.

Drejtoria për Hetimin e Trafikimit me Narkotikë në Prishtinë, pas një pune operative, të hënën kanë ndaluar një automjet të dyshuar në magjistralen Prishtinë- Podujevë, në të cilën ndodheshin dy të dyshuarit meshkuj kosovarë.

Gjatë kontrollimit të veturës është gjetur një sasi e substancës narkotike e llojit marihuanë me peshë prej 10.4 gramë, personat e dyshuar janë shoqëruar në stacion policor.

“Operacioni policor ka vazhduar tutje për identifikimin e veturës së dytë të dyshuar dhe personave të tjerë të përfshirë në rast dy të dyshuarit meshkuj kosovarë të cilët përkundër tentativës për të ikur dhe pas hedhjes së substancës narkotike në tokë në sasi prej 420.2 gramësh, të njëjtit janë arrestuar nga hetuesit policorë”, thuhet në njoftim.

Në lidhje me rastin është njoftuar prokurori kompetent dhe në konsultim me të njëjtin hetuesit policor kanë kryer kontroll në banesën të cilën e kanë shfrytëzuar të dyshuarit janë gjetur:

Një paketim me bari të gjelbër e dyshuar për narkotik të llojit marihuanë me peshë 1063.8 gram,

Një qese me bari të gjelbër e dyshuar për narkotik të llojit marihuanë me peshë 31.8 gramë,

Sasi e pluhurit ngjyrë të bardhë e dyshuar për narkotik të llojit kokainë me peshë 22.6 gramë dhe

3 peshore digjitale.

Vlera e substancës narkotike e shitjes parashihet të jetë rreth 15 mijë euro.

“Në vendin e ngjarjes ka dalë njësia e Forenzikës Rajonale – Prishtinë, e cila ka bërë fotografimin dhe konfiskimin e të gjitha dëshmive të gjetura si prova material, ndërsa nga personat e dyshuar dy prej tyre pas intervistimit te tyre me urdhër të prokurorit janë liruar, ndërsa dy të dyshuarit tjerë janë dërguar në mbajtje për 48 orë”, thuhet në njoftimin e Policisë. /Zëri

Image