Rastet e shpeshta për vrasje e krime ndikojnë në shëndetin mendor të shoqërisë

Rastet e shpeshta për vrasje e krime ndikojnë në shëndetin mendor të shoqërisë

Kronika March 25, 2025 - 14:00

Ditëve të fundit vendi është tronditur nga dy vrasje dhe një vetëvrasje që kanë ndodhur në rajonin e Vushtrrisë.

Këto vrasje janë komentuar nga sociologë e psikolog, të cilët kanë treguar ndikimin e tyre në shoqërinë tonë, shkruan Zeri.info.

Psikologu Petrit Thaçi ka thënë në emisionin “Destinim” në Radio Prishtina se rastet e shpeshta të vrasjeve dhe krimeve të ngjashme si këto në ditët e fundit ndikojnë edhe në shëndetin mendor të shoqërisë në përgjithësi, edhe te personat që nuk janë përfshirë direkt në raste të tilla.

Image
Petrit Thaçi, psikolog

“Realisht dëgjimi i shpeshtë dhe i përsëritur i rasteve të tilla do të ndikoj te qytetarët që të krijojë fillimisht, doza të frikës dhe anktheve që një situatë e tillë mund t’i atakojë ata në çfarëdo rrethane. Mund t’i bëj më paranojakë, mund t’i rrisë frustrimet dhe të penalizojë potencialet e tyre për t'u zhvilluar natyrshëm, mund të heqë ndjeshmërinë dhe të normalizojë fenomenin e vrasjes”, tha Thaçi, duke shtuar se sistemi ynë psikologjik mund të adabtohet dhe pas disa viteve mund të duket si normale

Po ashtu edhe sociologu Labinot Kunushevci tha se qeshtjet e sigurisë duhet të shndërrohen në urgjencë kombëtare e shtetërore.

“Vrasjet e ditëve të fundit janë shqetësuese dhe alarmuese, pra çështja e sigurisë me u shndërrua në urgjencë kombëtare dhe shtetërore sepse bëhet fjalë për të ardhmen e fëmijëve tanë që çdo herë po ndihen të pasigurt”, tha Kunushevci në “Destinim” në Radio Prishtina, transmeton Zeri.info.

Image
Labinot Kunushevci, sociolog

Ai shtoi se shteti duhet të investojë më shumë te gjeneratat e reja në aspektin psikologjik, duke përmendur inteligjencën emocionale, si një faktor të rëndësishëm.

“Kjo tregon që gjeneratat nuk po jenë të afta të përdorin inteligjencën emocionale, është një e met e shtetit që nuk po investon në këtë drejtim. Potencial e për dhunë kanë shumë njerëz, por ai potencial duhet mu kontrollua edhe me u kthye në energji pozitive”, tha Kunushevci. /Zëri