
Vrasja e 19-vjeçarit në Vushtrri, i pandehuri pranon fajësinë
I dyshuari për vrasjen e 19-vjeçarit nga arma e zjarrit mbrëmjen e të dielës, rreth orës 20:35, në Vushtrri, ka pranuar fajësinë.
Këtë e bëri të ditur zëdhënësi i Prokurorisë Themelore në Mitrovicë, Valon Preteni, i cili tha se fajësinë e pranoi gjatë marrjes së deklaratës.
Ai tutje tha se me vendim të prokurorit i pandehuri gjendet në ndalim 48-orësh.
“Është arrestuar një i dyshuar për veprën penale ‘Vrasje e rëndë’ dhe i njëjti me vendim të prokurorit gjendet në ndalim 48-orësh. Është sekuestruar arma me të cilën dyshohet se është kryer kjo vrasje, Prokuroria dhe Policia janë duke mbledhur provat relevante në lidhje me rastin. Gjatë marrjes së deklaratës i pandehuri e ka pranuar fajësinë për vrasjen”, ka thënë Preteni për Telegrafin.
Tutje ai tha se në afatin e paraparë ligjor Prokuroria do të paraqesë kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit.
Ndryshe, Policia e Kosovës ka bërë arrestimin e të dyshuarit me inicialet B.D për vrasjen e A.Z., 19-vjeçar, që ndodhi mbrëmjen e kaluar në Vushtrri, ndërsa gjatë kontrollit i është konfiskuar një armë pistoletë.
Gjatë bastisjes në shtëpinë e tij, autoritetet kanë sekuestruar edhe një armë të gjatë me pesë fishekë.
“Nga hetimet e para në vendin e ngjarjes, u konstatua se një person kishte shtënë me armë zjarri në drejtim të viktimës A.Z., i cili u dërgua në Spitalin e Vushtrrisë, ku mjekët konfirmuan se kishte ndërruar jetë. Me urdhër të prokurorit, trupi i tij u dërgua për obduksion në IML”, kishte thënë zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin e Mitrovicës, Avni Zahiti.
Zahiti tha se viktima është dërguar në Spitalin e Vushtrrisë, ku nga ekipi mjekësor është konfirmuar se viktima ishte pa shenja jete.