Vrasja e 19-vjeçarit në Vushtrri dhe arrestimi i dorasit, gjithçka që dihet deri tash

Vrasja e 19-vjeçarit në Vushtrri dhe arrestimi i dorasit, gjithçka që dihet deri tash

Kronika March 24, 2025 - 08:21

Një ngjarje tragjike ka tronditur mbrëmë qytetin e Vushtrrisë, ku i riu 19-vjeçar A.Z. u vra me armë zjarri.

Sipas Policisë, ngjarja ka ndodhur rrugën “Galip Badivuku” në Vushtrri, rreth orës 20:35.

Viktima është qëlluar për vdekje nga një person i dyshuar, B.D., gjithashtu 19 vjeç.

“Rreth orës 20:35 Policia ka pranuar informatën për të shtëna nga arma e zjarrit, ngjarja ka ndodhur në rrugën ‘Galip Badivuku’ në Vushtrri. Nga hetimet fillestare bëhet e ditur se si pasojë e plagëve të pësuara nga arma e zjarrit ka humbur jetën viktima mashkull/ kosovar rreth 19 vjeç”, ka deklaruar të dielën mbrëma zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin e Mitrovicës, Avni Zahiti.

Viktima është dërguar në Spitalin e Vushtrrisë, ku nga ekipi mjekësor është konfirmuar se ishte pa shenja jete.

Pas incidentit, policia ka nisur hetimet dhe ka arritur të arrestojë të dyshuarin, ndërsa gjatë një bastisjeje në shtëpinë e tij ka konfiskuar një pistoletë dhe një armë të gjatë.

Pas arrestimit të të dyshuarit, prokurori i ka caktuar atij masën e ndalimit policor.

Në vendngjarje, hetuesit kanë sekuestruar tre gëzhoja si prova materiale.

Ende nuk është bërë e qartë nëse ky incident ka lidhje me ndonjë konflikt të mëparshëm mes viktimës dhe autorit, apo nëse ka pasur ndonjë motiv tjetër.

Policia po ashtu ka bërë të ditur se, hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes po vazhdojnë në koordinim me Prokurorinë e rastit.

 
 
 
 
 
 
 
 
 
 
 
 
 
 
 

A post shared by JOQ Albania (@joqalbania)