Aktakuzë kundër zyrtarëve që u zunë duke konsumuar kokainë në Komunën e Leposaviqit
Foto: Laura Hasani

Aktakuzë kundër zyrtarëve që u zunë duke konsumuar kokainë në Komunën e Leposaviqit

Kronika March 21, 2025 - 11:41

Prokuroria Themelore në Mitrovicë ka ngritur aktakuzë në Gjykatën Themelore në Mitrovicë ndaj të pandehurit me iniciale S.S., për shkak të veprës penale “Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge”, si dhe ndaj D.M. dhe S.M., për shkak të dyshimit për kryerjen e veprës penale “Posedimi i paautorizuar i narkotikëve, substancave psikotrope ose analoge”.

Prokuroria thotë se gjatë muajit nëntor 2023 në objektin e Komunës së Leposaviqit, i pandehuri S.S. akuzohet se “në objektin e Komunës së Leposaviqit në një nga zyrat e Komunës e fton të pandehurën D.M. dhe i ofron substancë narkotike të llojit kokainë dhe e konsumojnë së bashku përmes hundës”.

Po ashtu, Prokuroria thotë se në një rast tjetër në muajin nëntor 2023 i pandehuri S.S. e thërret në një nga zyrat e objektit të Komunës së Leposaviqit të pandehurin S.M. dhe i ofron substancë narkotike kokainë, të cilën e vendos në tavolinë dhe i pandehuri S.M. e konsumon përmes hundës.

Po ashtu, gjatë muajit nëntor i pandehuri S.S., në një nga lokalet e qytetit, pa autorizim shpërndan substanca narkotike të llojit kokainë, ashtu që e thërret në banjën e kafenesë të pandehurën D.M. dhe i ofron substancë narkotike kokainë, të cilën e pandehura D.M. e konsumon përmes hundës.

Prokuroria Themelore në Mitrovicë me rastin e ngritjes së aktakuzës ka kërkuar nga gjykata që tre (3) të pandehurit t’i shpallë fajtorë për veprat e kryera penale dhe t’i dënojë sipas ligjit.