
Një polic mesin e të arrestuarve gjatë aksionit policor, rekomandohet suspendimi i tij
Inspektorati Policor i Kosovës (IPK) konfirmon se në mesin e të arrestuarve në aksionin e zhvilluar në 21 lokacione në disa komuna të mërkurën, është edhe një zyrtar policor, për të cilin është rekomanduar suspendimi.
IPK-ja njofton se zyrtari policor i ndaluar ka qenë me detyrë në Stacionin Policor në Veri.
“Në mesin e të arrestuarve që u është caktuar masa e ndalimit është edhe një zyrtar policor (i cili ka qenë me detyrë Stacionin Policor në Mitrovicën e Veriut) I cili dyshohet për veprën penale e paraparë me nenin Neni 364 të Kodit Penale të Republikës së Kosovës “Importi, eksporti, furnizimi, transportimi, prodhimi, këmbimi, ndërmjetësimi ose shitja e paautorizuar e armëve apo materieve plasëse”. Si pjesë e procedurave të natyrës administrative, IPK-ja ka rekomanduar edhe suspendimin për zyrtarin policor të dyshuar dhe të arrestuar në këtë rast”, thuhet në përgjigje.
Po ashtu, IPK-ja bëri të ditur se hetuesit e tyre kanë qenë pjesë e aksionit të sotëm, në të cilin u shoqëruan në Polici 16 persona.
“IPK ju konfirmon se hetuesit tanë kanë qenë pjesë e operacionit të përbashkët për realizimin e urdhëresës së Gjykatës Themelore në Mitrovicë, ku janë kontrolluar gjithsej 21 lokacione në Mitrovicë Jugu, Mitrovicë Veri, Vushtrri, Skenderaj dhe Leposaviq. Nga ky operacion policor janë shoqëruar në polici gjithsej 16 persona lidhur me dyshimin e kryerjes së veprave penale ‘detyrim’ si dhe ‘importi, eksporti, furnizimi, transportimi, prodhimi, këmbimi, ndërmjetësimi ose shitja e paautorizuar e armëve apo materieve plasëse”, thuhet në përgjigje.
Më tej, IPK thekson se si dëshmi materiale gjatë kontrollit janë sekuestruar 9 armë zjarri, 200 fishekë, municione të ndryshme, 15 telefona mobilë, 2 palë pranga, thikë, tyta të armës, fatrolla për armë dhe 1 DVR.
“Pas intervistimit lidhur me rastin, me vendim të prokurorit, 13 persona shkojnë në ndalim prej 48 orësh”, thuhet në fund të përgjigjes.
Në anën tjetër, Policia ka publikuar pamjet e aksionit. /BetimipërDrejtësi