![Gjendet e djegur në Hajvali makina me të cilin dyshohet se po udhëtonin grabitësit e armatosur [foto]](/uploads/zeri.info/images/2025/March/17/auto_36-21742220582.jpg)
Gjendet e djegur në Hajvali makina me të cilin dyshohet se po udhëtonin grabitësit e armatosur [foto]
Është gjetur e djegur makina me të cilën dyshohet se grabitësit kanë kryer grabitjen sot në afërsi të “Albi Mallit” në “Veternik”.
T7 ndodhet në vendin e ngjarjes në Hajvali, aty ku u gjet makina e djegur.
Mëngjesin e së hënës, rreth orës 10:30, një grabitje e armatosur nga ndodhur në lagjen “Veternik” në Prishtinë, në afërsi të “Albi Mallit”.
Siç u raportua, dyshohet se grabitësit të maskuar e me armë të gjata sulmuan furgonin e një kompanie që po transportonte para.
Të dyshuarit me t’u larguar nga aty në drejtim të Hajvalisë, dogjën automjetin “Pick Up” me targa të Gjermanisë, ku dhe e gjeti policia në rrugën “Pal Malushi” në Hajvali.
Dyshohet se nga aty grabitësit kanë shkuar drejt Gjilanit.
Lidhur me rastin, në njoftimin e Policisë së Kosovës thuhet se rasti dyshohet të ketë ndodhur gjatë një grabitjeje të armatosur ndaj personave që po siguronin një furgon që po transportonte para.
Policia thotë se janë ndërmarrë të gjitha masat për identifikimin dhe arrestimin e të dyshuarve të përfshirë në rast.
“Sot rreth orës 10:30 kemi pranuar informatën për të shtëna me armë në lagjen ‘Veternik’ në Prishtinë, ku është plagosur një person. Bazuar në të dhënat e deritanishme, rasti dyshohet se ka ndodhur gjatë një grabitjeje të armatosur ndaj pjesëtarëve që po siguronin një furgon që transportonte para. Personi i lënduar është dërguar për trajtim mjekësor, ndërkohë që hetuesit policorë në koordinim me Prokurorinë janë duke ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme për identifikimin dhe arrestimin e të dyshuarve, si dhe për zbardhjen e plotë të rrethanave të rastit”, thuhet në njoftimin e Policisë.
Një 42-vjeçar nga Vushtrria mbeti i plagosur në shpinë me dy plumba.
Nga Emergjenca në QKUK kanë thënë se gjendja e tij është e rëndë.
Shefi i Emergjencës, Naser Syla, tha se i plagosuri aktualisht është duke iu nënshtruar operacionit.
“Gjendja është e rëndë. Aktualisht është në sallën e operacionit”, ka thënë shkurtimisht Syla.
Para pak minutash në QKUK është dërguar edhe personi i dytë, i cili ka mbetur i plagosur nga kjo grabitje e armatosur.
Për gjendjen e tyre ka folur mjeku kujdestar në Emergjencën e QKUK-së, Agron Çitaku, i cili ka theksuar se gjendja e tyre është e rëndë.
“Po ka ora 11:00 ka ardhur një pacient i plagosur me armë zjarri. I cili është trajtuar pas reaniminit në sallë operative, është punuar dhe gjendet në mjekimin intensiv. Edhe ka ora 12:00 e kemi pasur edhe një tjetër i cili gjithashtu është reanimuar për momentin është në sallë operative. Regjioni (i plagosur) është i abdomenit i pari, tek i dyti është edhe në këmbë. Gjendje e rendë janë, plagosje me armë zjarri ka qenë”, ka thënë ai.