Detaje të reja nga vrasja në Shkodër: 34-vjeçari prej vitesh bashkëjetonte me 44-vjeçaren

Detaje të reja nga vrasja në Shkodër: 34-vjeçari prej vitesh bashkëjetonte me 44-vjeçaren

Kronika February 18, 2025 - 12:54

Nga ngjarja e rëndë në Shkodër këtë të martë, ku një shtetas dyshohet se ka qëlluar fillimisht të dashurën e tij me një plumb në kokë dhe më pas edhe veten, brenda në makinë, janë zbuluar të tjera detaje.

Mësohet se 34-vjeçari Kolë Manaj qëlloi me armë zjarri partneren e tij, Anila Prendushi, 44 vjeçe, nënë e tre fëmijëve dhe më pas qëlloi veten.

Prendushi thuhet se pas divorcit me ish-bashkëshortin kishte nisur lidhje dashurie me Manajn.

Çifti mësohet se bashkëjetonin prej pesë vitesh së bashku.

Të dy u gjetën brenda automjetit ku ndodhi krimi rreth orës 11:15 në lagjen “Mark Lula”, në Shkodër.

34-vjeçari mësohet se ka humbur jetën si pasojë e plagës së marrë me armë zjarri, kurse Prendushi është dërguar në spital në gjendje të rëndë.

Nga veprimet e para rezulton se automjeti nuk ka dëmtime të jashtme të shkaktuara nga armë zjarri. Ndërkohë që në brendësi të automjetit është gjetur një armë zjarri pistoletë.

Thuhet se çifti ka pasur një konflikt brenda automjetit dhe më pas janë dëgjuar të shtënat me armë.

Kanë qenë kalimtarët që gjetën çiftin brenda automjetit dhe kanë njoftuar menjëherë Policinë.

Më pas, në automjet janë konstatuar dy trupat e të rinjve, si edhe arma e krimit, e llojit pistoletë.

E reja raportohet se është dërguar me urgjencë në spital dhe ndodhet në gjendje kritike për jetën.

Shkaqet e ngjarjes ende nuk dihen, teksa ekspertiza po kryhet për të përcaktuar rrethanat.

Sipas njoftimit zyrtar të Policisë:

Shkodër/Informacion paraprak

Rreth orës 11:15, në lagjen “Mark Lula”, janë gjetur në një automjet, shtetasi K. M., 34 vjeç dhe shtetasja A. P., me plagë të shkaktuara nga armë zjarri. Shtetasi K. M. ka humbur jetën, ndërsa shtetasja A. P. është dërguar në spital, në gjendje shumë të rëndë.

Shërbimet e Policisë kanë shkuar menjëherë në vendin e ngjarjes dhe po kryejnë veprimet hetimore për rastin. Nga veprimet e para rezulton se automjeti nuk ka dëmtime të jashtme të shkaktuara nga armë zjarri. Në brendësi të automjetit është gjetur një armë zjarri pistoletë. Grupi hetimor, në drejtimin e Prokurorisë, vijon punon për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes.