20-vjeçari që u lëndua nga shpërthimi në Gjakovë është në gjendje të rëndë
Foto: Zëri / Ilustrim

20-vjeçari që u lëndua nga shpërthimi në Gjakovë është në gjendje të rëndë

Kronika February 06, 2025 - 14:10

20- vjeçari nga Gjakova ka pësuar lëndime të rënda trupi si pasojë e shpërthimit që dyshohet të jetë aksidental i një zolle në shtëpinë e tij.

Drejtori i Emergjencës në QKUK, Naser Syla ka thënë se gjendja e tij është e rëndë dhe se ai është duke u trajtuar në intensive.

“Ka marrë ndërhyrje në sallën e Emergjencës prej ekipeve kujdestare tash është në mjekim intensiv. Gjendja shumë e rëndë, një politraumë e rëndë”, ka thënë ai për Tëvë 1.

Rasti është konfirmuar edhe nga Policia e Kosovës.

“Sot, rreth orës 01:20, një mashkull rreth 20 vjeç është dërguar për trajtim mjekësor si pasojë e lëndimeve të rënda të shkaktuara nga një mjet shpërthyes. Menjëherë në vendngjarje kanë dalë të gjitha njësitë relevante policore, dhe sipas hetimeve fillestare, dyshohet se viktima, aksidentalisht ka shkaktuar shpërthimin e mjetit në shtëpinë e tij, në fshatin Dobrigje-Gjakovë. Për rastin është njoftuar prokurori i shtetit, në konsultim me të cilin është iniciuar rast “shkaktim i rrezikut të përgjithshëm”, ka deklaruar zëdhënësi i policisë për rajonin e Gjakovës, Shehremet Elezaj.