Ura e Badocit u lëshua për qarkullim pa u kryer testimet, intervistohet një i dyshuar

Ura e Badocit u lëshua për qarkullim pa u kryer testimet, intervistohet një i dyshuar

Kronika January 23, 2025 - 09:35

Një i dyshuar është intervistuar lidhur me lëshimin për qarkullim të urës së Badocit pa u kryer testimi final, ka njoftuar Policia e Kosovës në raportin ditor.

Sipas njoftimit, pas intervistimit, rasti ka vazhduar në procedurë të rregullt, teksa hetimet po zhvillohen në drejtim të veprës penale “Mbikëqyrja e pandërgjegjshme e trafikut publik”.

"Policia e Kosovës pas pranimit të autorizimit nga gjykata dhe pas ndërmarrjes së veprimeve hetimore ka konfirmuar se një urë është lëshuar për qarkullim pa përfunduar testimi final. Në koordinim me prokurorin është intervistuar një i dyshuar mashkull kosovar. Në konsultim me prokurorin rasti vazhdon në procedurë të rregullt", thekson Policia.

Ura e Badocit u lëshua për qarkullim në ditët e para të këtij viti. Por vetëm pas pak ditëve u mbyll pasi nuk u krye testimi final i strukturës së saj.

Zëvendësministri i Infrastrukturës, Hysen Durmishi, në një reagim në Facebook pati thënë se testimi është vetëm formal sepse ura është stabile.