
Policia në Ferizaj në kërkim të një personi, kërkon ndihmë nga qytetarët për arrestimin e tij
Policia e Kosovës ka kërkuar bashkëpunim nga qytetarët për arrestimin e një personi nga Ferizaj.
Drejtoria Rajonale e Policisë në Ferizaj, në bazë të autorizimit nga Prokuroria Themelore në Ferizaj për publikimin e fotografive të personave në kërkim, lëshon kërkesë për bashkëpunim me qytetarët me qëllim identifikimin, vendndodhjen dhe kapjen e personit të dyshuar, mashkull, i cili dyshohet se më datën 09.03.2024 në rrugën “Ahmet Kaçiku” në Ferizaj ka kryer veprën penale “Mashtrimi”, ku në një lokal ka mashtruar shitësen me një shumë të caktuar të parave.
Deri më tani i dyshuari i kësaj ngjarjeje nuk është identifikuar dhe Policia Rajonale e Ferizajt kërkon bashkëpunim nga qytetarët, që kushdo që ka ndonjë informacion rreth identitetit të tij, të lajmërojnë stacionin më të afërt të Policisë, ose përmes aplikacionit digjital “Lajmëro Policinë” dhe në numrat kujdestarë: 192, 0290/326-250 & 0290/322-406.
Policia shton tutje se të dhënat tuaja do të ruhen në konfidencialitet të plotë.
