Trafik armësh Kosovë-Shqipëri, pesë të arrestuarit lihen në paraburgim
Gjykata Penale e Tiranës la në qeli pesë personat e arrestuar, mbi dyshimin e përfshirjes së tyre në trafikimin e armëve të ndryshme të zjarrit nga Kosova në Shqipëri.
Përmes avokatëve mbrojtës, ata mohuan akuzat e ngritura nga Prokuroria për bashkëpunim me njëri-tjetrin me qëllim kalimin e armëve në kufirin Kosovë-Shqipëri, përmes Pikës së Kalimit Kufitar të Morinit në Kukës.
Avokatët mbrojtës pretenduan se e vetmja akuzë që mund të qëndrojë në këtë rast për klientët e tyre është ajo e prodhimit dhe shitjes së armëve.
Të dyshuarit e arrestuar: Endri Papa, Aurel Manreka, Gersi Llozha, Kleo Muçalliu dhe Tonin Shkabmi pretenduan që nuk janë përfshirë në trafikun e armëve, pasi sipas tyre nuk kanë pasur dijeni për aktivitetin e Valter Osmanit, të dyshuar si kreu i grupit të arrestuar në Kosovë.
Policia e Kosovës dhe ajo e Shqipërisë të enjten e shkuar finalizuan operacionin e përbashkët me qëllim parandalimin e trafikut të armëve dhe municioneve.
Mbi nëntë muaj hetime të organeve ligjzbatuese në Shqipëri dhe Kosovë u finalizuan me goditjen e grupit kriminal të trafikut të armëve, aktiv në të dy shtetet.
Nga policia e Tiranës u ndaluan 10 persona, ndërsa nga Policia e Kosovës 14. Gjatë këtij operacioni u sekuestruan 22 armë zjarri ‘Zoraki’, një armë zjarri Ak 47, një granatë dore ofensive dhe 470 fishekë të llojeve të ndryshme. Gjithashtu u sekuestruan edhe 3 automjete dhe shuma të konsiderueshme parash e 10 aparate celulare.
Në total, gjatë hetimeve janë sekuestruar 64 armë zjarri dhe municione luftarake, ku 23 armë janë sekuestruar nga shërbimet e Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë dhe 41 armë janë sekuestruar në Kosovë.
Armët dyshohet se vinin nga Turqia, modifikoheshin në Kosovë, dhe drejt Tiranës transportoheshin me autobusë të linjës dhe vetura. Operacioni u mbështet nga EUROPOL dhe EUROJUST./rtsh