Vëllai kujton Liridona Ademajn: Një nënë e grua e fortë, të morën nga ne në mënyrën më dinake
Sot u bë një vit nga vrasja e Liridona Ademajt.
Ajo u vra në Bërnicë të Prishtinës dhe si i dyshuari kryesor është Naim Murseli, bashkëshorti i saj bashkë me dy bashkëpunëtorë të tjerë, shkruan Zeri.info.
Vëllai i të ndjerët e ka kujtuar motrën sot me një postim në rrjetet sociale, ku ka treguar se sa shumë i mungon, ndërsa ka shkruar se Liridona ishte një motër e mrekullueshme dhe nënë fantastike.
“Do të kujtojmë gjithmonë me mall, si një motër e mrekullueshme, një vajzë e bukur, një Nënë fantastike, e një grua e fortë. Të morën nga ne në moshën me të mire, e në mënyrën me dinake. Ende e mbaj mend sa e dhimbshme ishte ajo natë, sa më ishin lodhur sytë dhe zemra”, ka shkruar ai.
Shkrimi i plotë:
Sot u bë 1 vit që nga vdekja jote, motër.
Na mungon pa fund, malli për ty shtohet dita e ditës e mungesa jote vërehet çdo moment.
Do të kujtojmë gjithmonë me mall, si një motër e mrekullueshme, një vajzë e bukur, një Nënë fantastike, e një grua e fortë. Të morën nga ne në moshën me të mire, e në mënyrën me dinake.
Ende e mbaj mend sa e dhimbshme ishte ajo natë, sa më ishin lodhur sytë dhe zemra.
Më kujtohet ende se si për pak sa nuk më merrej fryma ndërsa po qaja, dhe se si po përpiqesha të ndaloja zhurmën që mund të bëja.
Nuk do ta harrojmë kurrë sa e vështirë ishte për ne, nuk do ta harrojmë kurrë atë dhimbje.
Qofsh banore e Xhennetit Motër, të kujtojmë gjithmonë me mall e dashuri familja Ademaj si dhe djemtë Diar dhe Dion.