Ndarja nga jeta e Gerti Bogdanit, reagon bashkëshortja e tij
Mëngjesin e sotëm u raportua se ka vdekur ish-deputeti i Partisë Demokratike në Shqipëri, Gerti Bogdani.
Mediat raportuan se ai vdiq në moshën 44-vjeçare, shkaku i arrestit kardiak, transmeton Klankosova.tv.
Bogdani thuhet se ishte shtruar sot në spital, por nuk kishte arritur të mbijetonte.
Ndërkaq, një reagim erdhi edhe nga bashkëshortja e tij, Edlira Çepani.
“Me hidhërim të thellë, njoftojmë humbjen e parakohshme të babait, bashkëshortit, djalit, vëllait Gerti Bogdani. Njoftojmë se homazhet dhe ceremonia e lamtumirës, do bëhen ditën e nesërme dt. 19 shtator 2024, në Sallën e Seancave Plenare të Parlamentit të Shqipërisë, nga ora 10:00 deri në 12:00 dhe varrimi do të bëhet më pas në varrezat e Sharrës”, shkroi Çepani.
Kush ishte Gerti Bogdani?
Pasi mbaroi shkollën e mesme “Harry Fultz”, me rezultate të shkëlqyera dhe ‘Medalje Ari’, Gerti Bogdani vijoi studimet e larta në Universitetin Politeknik të New York-ut, ku u diplomua me ‘Nderimet më të Larta’ duke u shpallur edhe fitues i Outstanding Graduate Award – ‘Medalje Ari’.
Ai më pas u rikthye në Shqipëri, duke e filluar karrierën e tij profesionale në fushën akademike. Bogdani ishte themelues dhe drejtues i Rrjetit të Studentëve Shqiptarë në Botë.
Bogdani karrierën politike e filloi në vitin 2007, ndërsa kandidoi me Partinë Demokratike për Kryetar të Njësisë Bashkiake nr. 10 Tiranë, garë të cilën e fiton.
Gjatë kësaj kohe ai vazhdoi edhe aktivitetin si zëdhënës politik i PD.
Në vitin 2009, Bogdani, kandidoi në Zgjedhjet Parlamentare të 28 qershorit 2009 dhe zgjidhet deputeti më i ri në Kuvendin e Shqipërisë.
Nga viti 2009 e në vijim, ai vazhdoi aktivitetin e tij si Kryetar i Forumit Rinor të Partisë Demokratike.
Në vitin 2011 ai u zgjodh zv/president i “Bashkimit Ndërkombëtar të të Rinjve Demokratë” (International Young Democrat Union – IYDU) e më pas, në janar të vitit 2012, nën/Kryetar.
Në shtator 2015 ai u zgjodh Kryetar i IYDU, ne Kongresin e zhvilluar në Lisbonë të Portugalisë, duke u bërë kështu politikani i parë shqiptar që mban një post kaq të lartë në një organizatë ndërkombëtare. /Klankosova.tv