1 muaj arrest shtëpiak ndaj të pandehurit K.H për shkak të dy veprave penale për terrorizëm
Gjykata Themelore në Prishtinë ka njoftuar se i është caktuar masa e arrestit shtëpiak prej një muaji ndaj K.H të dyshuar për “Organizim dhe pjesëmarrje në grup terrorist”.
Gjykata thotë se ai i takon organizatës terroriste ISIS dhe gjatë muajve shtator-tetor në vitin 2016 ka përgatitur sulme terroriste në territorin e Ballkanit dhe kishin planifikuar që të sulmojnë ndërkombëtarët dhe institucionet e sigurisë.
“I pandehuri K.H i takon organizatës terroriste ISIS, i njëjti gjatë muajve shtator – tetor të vitit 2016, sipas udhëzimeve të ish-udhëheqësit të Shqiptarëve në Siri, Lavdrim Muhaxheri, së bashku me të pandehurit tjerë, kishin përgatitur sulme terroriste në territorin e Ballkanit dhe atë së pari në Kosovë, kishin planifikuar që të sulmojnë ndërkombëtarët dhe institucionet e sigurisë, me qëllim që duke luftuar seriozisht të frikësojnë popullsinë, të destabilizojnë dhe të shkatërrojnë strukturat themelore politike, kushtetuese, ekonomike dhe sociale të shteteve të ndryshme, pastaj në territorin e tyre të krijojnë shtetin islamik “Iraku dhe Levant”, me këtë në bashkëkryerje ka kryer veprën penale Përgatitja e veprave terroriste ose veprave kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së Republikës së Kosovës si dhe veprën penale Organizimi dhe pjesëmarrja në grup terrorist.”
“Gjykata vlerëson se në bazë të rrethanave faktike, nëse i pandehuri K.H do të mbrohet në liri, i njëjti mund të ik dhe të jetë i pakapshëm për organet e drejtësisë, e që me këto veprime do të pengonte rrjedhën e procedures penale, po ashtu gjykata vlerëson se nëse i pandehuri mbrohet në liri, ekziston rreziku i përsëritjes së veprave penale, andaj gjyqtari i procedurës paraprake erdhi në përfundim se kërkesa e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës është e bazuar, për caktimin e masës së arrestit shtëpiak kundër të pandehurit K.H, me qëllim të sigurimit të pranisë së tij në procedurë penale dhe të zbatimit të suksesshëm të procedurës penale. Kundër këtij aktvendimi, palët e pakënaqura kanë të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit, përmes Gjykatës Themelore në Prishtinë. “