Arrest shtëpiak ndaj katër serbëve për sulm ndaj policëve në Mitrovicë të Veriut
Gjykata e Mitrovicës ka caktuar masën e arrestit shtëpiak ndaj katër personave të arrestuar në Mitrovicën e Veriut, të dyshuar për ofendim dhe sulm ndaj pjesëtarëve të Policisë së Kosovës.
Lajmi është konfirmuar nga avokati i të dyshuarve, Shyqyri Syla.
Sipas deklaratës së avokatit Syla, Prokuroria kishte kërkuar fillimisht masën e paraburgimit për të dyshuarit, por gjykata vendosi që ata të mbahen në arrest shtëpiak.
Para mediave njëri nga avokatët mbrojtës tha se të arrestuarit kanë kërkuar falje publike, poashtu kanë pranuar që i kanë fyer zyrtarët policorë por jo edhe që i kanë sulmuar.
Ndërkohë, që nga ora 10:00 e paradites, një grup qytetarësh të komunitetit serb kanë protestuar para hyrjes së Gjykatës, duke kërkuar lirimin e personave të ndaluar.
Megjithatë, gazetarja e Telegrafit Blinera Mehmeti e cila po qëndron në veri, ka raportuar se pas vendimit të gjykatës, protestuesit janë shpërndarë të qetë.
Lidhur me protestën, nuk është raportuar ndonjë incident./Telegrafi