Ky është i burgosuri që u arratis sot nga QKUK-ja, u arrestua para gati një muaji me nënën e vëllain për fajde
Një i burgosur është arratisur nga Reparti i Hematologjisë në Shërbimin Spitalor, Klinik dhe Universitar të Kosovës herët në mëngjes.
Sipas burimeve të gazetës Express, i arratisuri është Lorik Xhemshiti. I njëjti ishte arrestuar më 19 korrik të këtij viti në një aksion të Prokurorisë Themelore në Prishtinë kundër fajdeve. Bashkë me të ishin arrestuar edhe nëna e vëllai i tij.
“Te pandehurit më parë e në vazhdimësi deri më datën 11.07.2024 pa ndërprerë edhe tani, në Prishtinë, në bashkëkryerje e me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore për vete, duke shfrytëzuar gjendjen e rëndë financiare të të dëmtuarit B.L., kontraktojnë një shumë dukshëm joproporcionale të pasurisë në këmbim të shërbimit për personin tjetër, e cila rezulton me humbje financiare mbi 100.000.00 €”, thuhej në dosjen e Prokurorisë, të cilën e kishin publikuar mediat.
Lidhur me rastin, Shërbimi Korrektues i Kosovës ka pezulluar dy zyrtarë korrektues.
“Lidhur me rastin janë pezulluar nga puna dy zyrtarë korrektues, ndërsa është njoftuar edhe Policia. SHKK-ja ka filluar hetimet për të zbuluar se si ka ndodhur rasti dhe do t’ju mbajë të informuar”.