Shpërthimi në afërsi të Ujmanit, dëmtohen dy vetura [foto]
Policia e Kosovës e ka konfirmuar se të dielën ka ndodhur një shpërthim në pjesën veriore të vendit, në afërsi të Liqenit të Ujmanit.
Zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës për pjesën veriore, Veton Elshani, ka thënë për Radion Evropa e Lirë se nuk ka të lënduar, por vetëm dëme materiale në dy vetura.
Ai nuk e ka specifikuar saktë se për çfarë shpërthimi bëhet fjalë.
Elshani ka thënë se policia është duke u marrë me rastin.
Ndërkaq sipas raportimeve thuhet se hedhja e mjetit shpërthyes është bërë pak minuta pas kalimit të autoblindës së policisë.
Rëndësia e Ujmanit për Kosovën
Ky liqen konsiderohet pikë strategjike vitale për Kosovën, pasi pos tjerash, aktualisht furnizon me ujë, një zonë me mbi 500 mijë kosovarë. Nga Ujmani furnizohen me ujë shtatë komuna, në jug dhe veri të lumit Ibër; Mitrovica e Jugut dhe e Veriut, Zveçani, Vushtrria, Gllogoci, Skenderaj dhe një pjesë e Prishtinës.
Pos tyre, termocentralet Kosova A dhe B, Trepça dhe Ferronikeli varen tërësisht nga furnizimi me ujë nga ky liqe artificial. Po ashtu, prodhohen edhe 32 Megavat (MW) rrymë në hidrocentralin e Vallaçit.
Lumi Ibër, që e mbush me ujë Ujmanin, buron në Mal të Zi, më pas kalon nëpër territorin e Serbisë, hyn në Kosovë me një gjatësi të shtratit prej 82 km, dhe prapë kthehet në Serbi.