Policia konfirmon shpërthimin në Prishtinë, ishte granatë dore dhe gjashtë vetura u dëmtuan

Policia konfirmon shpërthimin në Prishtinë, ishte granatë dore dhe gjashtë vetura u dëmtuan

Kronika April 12, 2024 - 09:56

Një shpërthim ka ndodhur mëngjesin e sotëm në lagjen e Universitetit në Prishtinë, ku gjashtë vetura janë dëmtuar.

Zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Agron Borovci, tha se bëhet fjalë për shpërthimin e një granate dore.

“Rreth orës 07:00 është pranuar informata për një shpërthim në rrugën ‘Zekirja Cana’ në Prishtinë. Policia menjëherë ka dalë në vendin e ngjarjes dhe nga informacionet e para bëhet e ditur se si pasojë e shpërthimit nga fragmentet e mjetit shpërthyes gjashtë vetura janë dëmtuar, përderisa nuk raportohet për pasoja në njerëz”, theksoi ai.

Borovci shtoi tutje se përgjatë kryerjes së ekzaminimit të vendngjarjes rruga është bllokuar për lëvizje, ndërkaq Njësia për Menaxhimin e Mjeteve Shpërthyese ka bërë pastrimin e terrenit.

“Rezultatet e para sugjerojnë që mjeti shpërthyes të ketë qenë granatë dore, ndërkohë që Policia po vijon me ndërmarrjen e veprimeve të tjera për ndriçimin e rrethanave që karakterizojnë ngjarjen”, u shpreh ai.

Lidhur me rastin u deklarua edhe zëdhënësja e Prokurorisë Themelore në Prishtinë, Laureta Ulaj.

“Prokurori kujdestar është njoftuar për këtë rast. Me urdhër të njëjtit janë iniciuar hetime, derisa në koordinim me Policinë janë duke u ndërmarrë veprime hetimore me qëllim të sqarimit të rrethanave të këtij rasti dhe identifikimit të të dyshuarit/ve”, tha Ulaj për telegrafin.

Më poshtë, pamjet nga vendi i ngjarjes:

Image

Image