Alarm i rrejshëm për bombë në objektin e strukturave paralele

Alarm i rrejshëm për bombë në objektin e strukturave paralele

Kronika September 07, 2023 - 23:08

E njëjta lagje, i njëjti qytet, e njëjta rrugë por dy realitete.

Paralele zhvillohet edhe jeta institucionale.

Afër stacionit të autobusëve në Mitrovicën Veriore ndodhet komuna paralele me sistem të Serbisë, ndërsa në lagjen e boshnjakëve disa drejtori të saj.

Rreth 100 metra larg komunës me ligje e flamuj të Republikës së Kosovës ndodhet një e tillë.Nëse zbatohet një vendim i marr së fundmi, drejtoria për kategoritë sociale do të largohet nga ky objekt.

“Të premten përfundon afati i dytë 14 ditorë, të cilin Inspektorati Komunal i Mitrovicës Veriore i ka dhënë strukturave paralele që ta lirojnë objektin që e shfrytëzojnë ilegalisht. Përkundër që skadimi i afatit po afrohet, strukturat paralele që shërbejnë si institucione punën po e vazhdojnë normalisht”

Deri në mesditën e së enjtes, RTV Dukagjini ka kuptuar që Policia nuk ka marr ftesë që ta lirojë objektin.

Se kur pritet të ndodhë kjo nuk kanë treguar nga zyra e kryetarit Erden Atiq.

Shefi i Kabinetit, Visar Syla ka udhëzuar që të bisedojmë me Inspektoratin komunal, por drejtori i kësaj zyre me arsyetimin që ndodhet jashtë shtetit, nuk ka qenë i interesuar të dëgjojë pyetjet për këtë temë.

“Jam jashtë shtetit, jam me roaming… sa të duash pyetje por d.m.th…zotëri do të ju ndërpre (e ndërprenë lidhjen telefonike)”

Një thirrje telefonike e ka pranuar edhe Policia e Kosovës, veçse për diçka tjetër.

RTV Dukagjini merr vesh se rreth orës 09:00 në mëngjes Policia ka pranuar një raportim apo alarm për bombë brenda objektit që po kërkohet të lirohet nga institucionet paralele.

Alarmi ka rezultuar të jetë i rrejshëm.

Megjithatë, vendimi i kryetarit Atiq, po konsiderohet politik, por edhe i panevojshëm nga gazetari serb, Branislav Krstiq.

“Ata janë duke shërby, kujt?: serbët, shqiptarët, romët, boshnjakët, ata janë duke marrë pensione. Atje rregullojnë të drejtat për sigurimin shëndetësor edhe për pensionet, bursat për nxënësit, “stipendiat””

Kërstiq thotë se shumë zyre që shihen si paralele në kuptimin e keq, nuk posedojnë dokumente për fajin e partive politike, sidomos të partisë që ka qenë deri tash në pushtet.

“Kemi pasur një subjekt bandit në veriun e shtetit, udhëhequr nga Lista Serbe që brenda vetes i kanë ndarë ndërtesat, jo vetëm mallin edhe projektet, por nuk kanë punuar në mënyrë ligjore.”

Kërkesa për lirimin e objektit, është kundërshtuar sërish gjatë së mërkurës nga Lista Serbe, që e shohin si një veprim që mund të nxisë tensione, për çka i kanë bërë thirrje komunitetit ndërkombëtarë që të mos lejojnë një që të ndodhë një gjë e tillë.