Nga 18 vjet e 2 muaj, Apeli ua ulë dënimin në 14 vite e 6 muaj burgim tre të akuzuarve se rrahën një person në Vushtrri

Nga 18 vjet e 2 muaj, Apeli ua ulë dënimin në 14 vite e 6 muaj burgim tre të akuzuarve se rrahën një person në Vushtrri

Kronika June 04, 2023 - 12:10

Gjykata e Apelit i ka dënuar me 14 vite e 6 muaj burgim në total, Ferat, Betim dhe Lirim Mustafën, të akuzuar se në gusht të vitit 2021, kishin rrahur R.H. në parkingun e marketit “ETC” në Vushtrri, duke i shkaktuar lëndime të rënda trupore.

I akuzuari Ferat Mustafa, nga Apeli është dënuar me 5 vite e 6 muaj burgim, i akuzuari Betim Mustafa me 4 vite burgim, ndërsa i akuzuari Lirim Mustafa me 5 vite burgim, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Me vendimin e Apelit të datës 31 janar 2023, është ndryshuar aktgjykimi i Gjykatës Themelore në Mitrovicë, përmes të cilit i akuzuari Ferat Mustafa u dënua me 6 vite e 6 muaj burgim, i akuzuari Betim Mustafa me 5 vite e 6 muaj burgim, ndërsa i akuzuari Lirim Mustafa me 6 vite burgim.

Kundër këtij aktgjykimi, në afatin ligjor ankesë kishin paraqitur Prokuroria Themelore në Mitrovicë, përfaqësuesi i të dëmtuarit R.H., avokati Gani Rexha dhe mbrojtësit e tre të akuzuarve Mustafa, avokatët Mahmut Halimi, Shyqyri Syla dhe Emine Kaçiku.

Gjykata e Apelit pas shqyrtimit të aktgjykimit të ankimuar dhe pas vlerësimit të shkresave tjera të lëndës, ka konstatuar se ankesat e mbrojtësve të të akuzuarve janë pjesërisht të bazuara, kurse ankesa e Prokurorisë dhe e përfaqësuesit të autorizuar të të dëmtuarit nuk janë të bazuara.

Apeli ka ndryshuar aktgjykimin e ankimuar në lidhje me pretendimet ankimore për vendimin mbi dënimin, duke konstatuar se disa rrethana rënduese të konstatuara nga gjykata e shkallës së parë nuk e kanë cilësinë e rrethanave rënduese, por të njëjtat paraqesin elemente të veprës penale.

Kurse, pretendimet ankimore të palëve për shkelje esenciale të dispozitave të procedurës penale, Apeli ka gjetur se nuk janë të bazuara, me arsyetimin se aktgjykimi i ankimuar është i qartë dhe i kuptueshëm, përmban arsyet për faktet vendimtare nga të cilat qartë konkludohet se si të akuzuarit i kryen veprat penale dhe cilat veprime i ndërmorën për kryerjen e veprës penale për të cilën janë shpallur fajtorë.

“Me aktgjykimin e ankimuar gjykata e shkallës së parë të akuzuarit i ka shpallur fajtorë për shkak të veprës penale “Lëndim i rëndë trupor” si bashkekzekutorë, ashtu që ka dhënë arsyet edhe në ketë drejtim të cilat si të drejta dhe të ligjshme i aprovon edhe kjo Gjykatë, sepse ato kanë mbështetje në provat e administruara dhe jo vetëm që janë drejtë të vërtetuara, por edhe në mënyrë të plotë dhe të qartë janë të arsyetuara”, thuhet në vendimin e Apelit.

Sipas vlerësimit të Gjykatës së Apelit, edhe pretendimet ankimore për vërtetim të gabuar dhe jo të plotë të gjendjes faktike nuk qëndrojnë, për arsye se në këtë çështje penale, provat si ato formale ashtu edhe ato materiale, në të gjitha aspektet ishin koherente dhe në tërësi plotësonin njëra tjetrën, duke shtuar se mënyra e kryerjes së veprës penale, bashkëkryerja dhe motivi janë të qarta dhe nuk lënë asnjë dyshim.

Tutje, në vendimin e Apelit thuhet se mbrojtësi i të akuzuarit Ferat Mustafa, avokati Mahmut Halimi, në ankesë nuk i konteston veprimet e të akuzuarit në drejtim të të dëmtuarit, mirëpo pretendon se gjykata e shkallës së parë është dashtë të bëjë individualizimin e veprimeve, ashtu që i mbrojturi i tij është dashur të shpallet fajtor për veprën penale “Lëndimi i lehtë trupor”.

Por, Apeli edhe këtë pretendim të mbrojtjes e ka cilësuar si të pabazuar, sepse në ekspertizën mjeko- ligjore ku janë përshkruar lëndimet trupore të të dëmtuarit, të shkaktuara me mjete të forta, të gjitha lëndimet e shkaktuara janë cilësuar si lëndime të rënda trupore.

Ndërsa, sa i përket pretendimeve ankimore të prokurorisë se gjykata e shkallës së parë nuk ka vërtetuar drejtë gjendjen faktike kur ka bërë ricilësimin e veprës penale nga vrasje në tentativë në lëndim të rëndë trupor në bashkëkryerje, Apeli ka gjetur se përfundimet e gjykatës në lidhje me ricilësimin e veprës penale janë të drejta dhe nuk vihen në dyshim.

Tutje, Apeli ka hedhur poshtë edhe pretendimet ankimore të palëve për shkelje të ligjit penal në favor, përkatësisht në dëm të të akuzuarve, sepse përfundimi i gjykatës së shkallës së parë se në veprimet inkriminuese të të akuzuarve janë përmbushur të gjitha tiparet e veprës penale Lëndim i rëndë trupor në bashkëkryerje, është i drejtë, duke aplikuar drejtë ligjin penal.“Po ashtu, i drejtë është edhe përfundimi se të akuzuarit janë bashkekzekutor, sepse pasojat e veprimeve të tyre inkriminuese janë fryt i dashjes së tyre të përbashkët”, thuhet në vendimin e Apelit.

Ndryshe, në lidhje me vendimin për dënimin, Gjykata e Apelit ka gjetur se rrethanat lehtësuese të vlerësuara nga gjykata për secilin të akuzuar janë të drejta, ndërsa disa rrethana rënduese të vlerësuara nga gjykata, nuk e kanë cilësinë e rrethanave rënduese, por të njëjtat paraqesin elemente të veprës penale.

“Fakti se i dëmtuari është goditur nga të akuzuarit F. dhe L. M. me mjetin e përshtatshëm dhe të rrezikshëm – shufrën metalike si rezultat ka pësuar lëndime të rënda trupore të rrezikshme për jetën në momentin e shkaktimit, nuk mund të vlerësohet si rrethanë rënduese për këta të akuzuar sepse paraqet element cilësues të veprës penale për të cilën këta të akuzuar u shpallën fajtor”, thuhet në vendimin e Apelit.

Rrethana të tjera rënduese të cilësuara nga gjykata në këtë rast, e që në fakt përbëjnë elemente të veprës penale, janë theksuar rrethanat se të akuzuarit kanë qenë të aftë për t’i kuptuar sjelljet dhe veprimet e tyre dhe intensitetin e rrezikimit apo të dëmtimit të vlerës së mbrojtur, dhe goditja me mjetin e rrezikshëm – shufrën metalike.

Në mungesë të rrethanave rënduese të lartpërmendura, Gjykata e Apelit u ka ulur dënimin të akuzuarve, duke u bindur se dënimet e shqiptuara janë në përputhshmëri me shkallën e përgjegjësisë dhe të rrezikshmërisë shoqërore të veprës së kryer penale dhe se do të arrihet qëllimi i dënimit.

Ndryshe, sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Mitrovicë, të akuzuarit Ferat, Betim dhe Lirim Mustafa, akuzohen se më 25 gusht 2021, rreth orës 13:00 në Vushtrri, në parkingun e marketit “ETC”, me marrëveshje paraprake me dashje kanë filluar kryerjen e veprës penale të vrasjes ndaj të dëmtuarit R.H., e të cilën nuk e kanë përfunduar.

Sipas aktakuzës, rasti kishte ndodhur në atë mënyrë që pas një zënke që i dëmtuari R. kishte pasur rreth orës 10:00 të së njëjtës ditë në fshatin Reznik me fëmijët e familjes së të pandehurve, ku i dëmtuari ishte duke lëvizur me veturën e tij “Renault”, i njëjti kishte pretenduar se ishte bllokuar rruga nga lopët e këtyre fëmijëve.

Tutje, thuhet se rreth orës 13:00 tre të pandehurit me pretekstin se ishin ofenduar nga i dëmtuari, të njëjtin e përcjellin duke shkuar me veturën e tyre “Passat” deri tek marketi “ETC”, ku aty pasi që i dëmtuari del nga marketi, mu përpara hyrjes, i pandehuri Ferat në mënyrë të befasishme e godet nga prapa me grusht disa herë në kokë të dëmtuarin, ku pastaj bashkëngjiten edhe dy të pandehurit tjerë Betim dhe Lirim Mustafa.

Gjithnjë sipas aktit akuzues, që të tre e godasin nëpër pjesë të ndryshme të trupit të dëmtuarin, duke e rrëzuar për toke. I pandehuri Lirim me shufër metalike e godet në pjesë të ndryshme të trupit dhe në kokë, pastaj i pandehuri Ferat ja merr nga dora shufrën metalike të pandehurit Lirim dhe vazhdon ta godas nëpër trup dhe e shqelmojnë për së shtriri, e godasin në kokë dhe pjesë tjera të trupit.

Duke qenë se i njëjti nuk po lëvizte, thuhet se të pandehurit të bindur se e kanë privuar nga jeta largohen nga vendi i ngjarjes.

Ndërkohë që i dëmtuari për shkak të gjendjes së rëndë, thuhet se transferohet në QKUK në Prishtinë ku rezulton se i njëjti ka pësuar: frakturë multifragmentare të parakrahut të majtë S52, thyerje të nervit median dhe redial të dorës, gjakderdhje dhe prania e ajrit në mes kraharorit dhe indit mushkëror në pjesën e pleurës të anës së djathtë S27.2PPT, frakturë serike të brinjëve IV, V, VI djathtas, frakturë të shpatullave në të dy anët, frakturë e zgjatimit transverzal të vërtebrave, majtas L1, L2, dhe L3, hematome nënlëkurore të shumta në trup.

Me këtë, ngarkoheshin se kanë kryer veprën penale “Vrasje e rëndë” e mbetur në tentativë, nga neni 173, par.1, nënpar. 1.4 lidhur me nenin 28 e 31 të Kodit Penal.