Kërkohet paraburgim për personin që dyshohet se dhunoi të miturën nga Klina
Foto: Zëri / Ilustrim

Kërkohet paraburgim për personin që dyshohet se dhunoi të miturën nga Klina

Kronika March 30, 2023 - 17:05

Prokurori i shtetit ka kërkuar caktimin e paraburgimit ndaj të pandehurit, i cili dyshohet se gjatë ditës së mërkurë ka dhunuar një vajzë të mitur nga komuna e Klinës.

Lajmin e ka konfirmuar zëdhënësi i Prokurorisë Themelore në Pejë, Shkodran Nikçi.

“Është parashtruar kërkesa nga Prokurori i shtetit për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të pandehurit për veprën penale “dhunim”. Seanca e procedurës paraprake pritet të mbahet sot në Gjykatën Themelore në Pejë”, ka thënë Nikçi.

Ndërkaq Telegrafi mëson nga burime se viktima kishte qenë pre e dhunimit edhe disa herë më parë, dhe se e njëjta është e moshës rreth 14 vjeçare.

Policia e Kosovës ka njoftuar sot se e mitura ishte raportuar dje nga babi i saj si e zhdukur.

Ankuesi kishte deklaruar se vajzën e ka kërkuar në disa lokacione por nuk e ka gjetur, i njëjti ka deklaruar se kishte informacion se vajza e tij ndodhet në qytetin e Mitrovicës.

“Pas një pune intensive të hetuesve të Stacionit Policor Klinë, me datë 29.03.2023, rreth orës 20:00, ka arritur ta identifikoj lokacionin e personit të dyshuar dhe i njëjti është arrestuar. Viktima është në gjendje të mirë shëndetësore dhe e njëjta pas intervistimit është dërguar në shtëpi të sigurtë”, thuhej në njoftimin e policisë.

I dyshuari pas intervistimit me vendim të prokurorit të shtetit ishte dërguar në mbajtje për 48- orë.