Vrasja në Prizren, u vazhdohet paraburgimi edhe për nga një muaj “Kobrës” dhe pesë të tjerëve

Vrasja në Prizren, u vazhdohet paraburgimi edhe për nga një muaj “Kobrës” dhe pesë të tjerëve

Kronika February 02, 2023 - 12:02

Gjykata Themelore në Prizren ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore në Prizren dhe më 2 shkurt 2023 ka marrë vendim për vazhdimin e paraburgimit ndaj Dibran Hoxhës, i njohur si “Kobra” dhe pesë të pandehurve të tjerë: Arben Vezaj, Burim Mazreku, Jesmir Badalli, Kujtim Gashi dhe Enver Amrllahi, të dyshuar për vrasjen e të riut nga Kukësi, V.C.

Në vendimin e siguruar thuhet se masa e paraburgimit ndaj të gjashtë pandehurve vazhdohet deri më 3 mars 2023, raporton “Betimi për Drejtësi”.

I pandehuri Hoxha po dyshohet për veprat penale “Vrasje e rëndë”, “Mbajtja në pronësi, kontroll, ose posedim të paautorizuar të armëve” dhe “Manipulimi me prova”.

Ndërsa, të pandehurit Vezaj, Mazreku, Badalli, Gashi dhe Amrllahi po dyshohen për veprat penale “Pjesëmarrja në rrahje” dhe “Manipulimi me prova”.

Sipas këtij vendimi, gjykatësja e procedurës paraprake ka vlerësuar se kërkesa për vazhdimin e masës së paraburgimit është e bazuar.

Në vendim thuhet se janë plotësuar kushtet ligjore për vazhdimin e masës së paraburgimit, ngase të pandehurit me qëndrim në liri mund të fshihen apo arratisen me qëllim të shmangies nga përgjegjësia penale.

Po ashtu, në vendim thuhet se duke pasur parasysh se të dyshuarit janë të njohur për organet e drejtësisë, janë kryerës edhe të veprave të tjera penale të natyrës së ndryshme, tregojnë rrezikun e përsëritjes së veprave penale dhe nga kjo bazë ligjore është e arsyeshme për vazhdimin e masës së paraburgimit.

Ndryshe, Gjykata Themelore në Prizren, më 4 janar 2023, ka caktuar masën e paraburgimit ndaj Hoxhës dhe të tjerëve.

Sipas Prokurorisë, Dibran Hoxha po dyshohet për veprat penale “Vrasje e rëndë”, armëmbajtje pa leje dhe manipulimi me prova, ndërsa Arben Vezaj, Burim Mazreku, Jesmir Badalli, Kujtim Gashi dhe Enver Amrallahi, po dyshohen për veprën penale “Pjesëmarrja në rrahje”.

Në kërkesën e Prokurorisë thuhet se me datën 3 janar 2023, rreth orës 04:00, në afërsi të lokalit të tij “Kobra City”, që gjendet në rrugën magjistrale Prizren- Zhur, me armë zjarri, me dashje e privon nga jeta viktimën V.C, duke vë në rrezik jetën e të dëmtuarit R.Sh, të cilin e plagos dhe duke vë në rrezik edhe jetën e të dëmtuarit A.B., që të tre shtetas të Republikës së Shqipërisë.

“Për shkak të një mosmarrëveshje paraprake që kishin pas rreth pagimit të faturës në lokal, fillon përleshja në mes punëtorëve në lokalin “Kobra City”, me të dëmtuarit ku pas kacafytjeve dhe rrëmujës së krijuar në lokal, të dëmtuarit dalin nga lokali dhe pasi hypin në veturën “Mercedes” FA 19-PFX, me targa angleze, për tu larguar në parkingun e lokalit, paraqitet i dyshuari Dibran Hoxha, i cili me armë zjarri shtënë në drejtim të veturës, me ç’rast e qëllon të dëmtuarin V.C, i cili kishte qenë i ulur në ulësen e pasme të veturës dhe R.Sh, i cili kishte qenë i ulur në ulësen e përparme, dhe si pasojë e këtyre të shtënave me armë zjarri V.C ndërron jetë rrugës për në Spitalin e Kukësit, derisa R.Sh. nga plagët e marra nga Kukësi dërgohet në spitalin e Tiranës”, thuhet në kërkesën e Prokurorisë.

Me këtë, Hoxha dyshohet se ka kryer veprën penale “Vrasje e rëndë”, nga Neni 173, par. 1, nënpar. 1.5 i Kodit Penal. /BetimipërDrejtësi