Aktakuzë ndaj pesë personave për rastin e dhunimit të 11-vjeçares në Prishtinë

Aktakuzë ndaj pesë personave për rastin e dhunimit të 11-vjeçares në Prishtinë

Kronika December 08, 2022 - 15:31

Prokuroria Themelore në Prishtinë ka njoftuar se Departamenti për të Mitur, pas zhvillimit të hetimeve dhe zgjerimit të tyre, mbledhjes dhe analizimit të provave, sot ka ngritur aktakuzë ndaj pesë personave.

Sipas Prokurorisë, të akuzuarit në këtë rast janë dy të moshës madhore dhe tre të mitur, transmeton Zeri.info.

“E.R. dhe Sh.K., (madhorë), si dhe ndaj tre të miturve, të përfshirë në rastin i cili ka ndodhur në muajin gusht të vitit 2022, ndaj 11-vjeçares, të cilët gjenden në paraburgim”, thuhet në njoftim.

Sipas aktakuzës, i pandehuri E.R. ngarkohet për veprat penale “Shërbimet seksuale të viktimës së trafikimit” dhe “Trafikimi me njerëz”, ndërsa i pandehuri Sh.K. ngarkohet për veprën penale “Shërbimet seksuale të viktimës së trafikimit”.

Po ashtu, njëri prej të miturve ngarkohet për veprat penale “Dhunimi”, “Trafikimi me njerëz”, dhe “Keqpërdorimi i fëmijëve në pornografi”, nga Neni 232, par. 1 i KPRK-së.

Ndërkaq, dy të miturit e tjerë ngarkohen për veprat penale “Dhunimi”, si dhe për veprën penale “Keqpërdorimi i fëmijëve në pornografi”.

“Përveç kësaj, ndaj rastit tjetër penal i cili i takon muajit qershor të këtij viti, ju njoftojmë se është në proces të zhvillimit të hetimeve, duke i dhënë prioritet deri në epilogun përfundimtar të kësaj çështjeje penale”, thuhet në njoftim. /Zëri