Policia i konfiskoi për gati dy vjet mbi 2,400 armë pa leje e afër 57 mijë fishekë
Foto: Laura Hasani

Policia i konfiskoi për gati dy vjet mbi 2,400 armë pa leje e afër 57 mijë fishekë

Kronika December 01, 2022 - 17:15

Një numër i madh i armëve pa leje janë në duart e qytetarëve të Kosovës.

E me ato armë janë kryer edhe vepra penale si vjedhje, plagosje, e në disa me to janë bërë edhe vrasje.

Për të parandaluar, policia shpesh kryen aksione me qëllim të gjetjes, konfiskimit dhe arrestimit të personave që mbajnë në mënyrë të paautorizuar ato.

Thuajse secilin vit, organet e rendit konfiskojnë deri në 1 mijë e 500 armë të llojeve të ndryshme me rreth 40 mijë copë fishekë/municion të kalibrave të ndryshëm.

Në një përgjigje për Klankosova.tv policia bën me dije se gjatë mbi 1 viti e gjysmë janë konfiskuar 2 mijë e 456 armë me 56 mijë e 993 copë fishekë të kalibrave të ndryshëm.

Gjatë vitit 2021, janë konfiskuar 1 mijë e 280 armë me 42 mijë e 31 fishekë derisa nga janari e deri në tetor të 2022-ës, janë gjetur e sekuestruar 1 mijë e 176 armë me 14 mijë e 962 fishekë.

Policia njofton se ka pasur gjatë këtyre viteve janë paraqitur mjaft raste për gati dy vjet.

Ndryshe, pikërisht nga arma e zjarrit mbrëmë u vra një grua e cila ishte shtatzënë.

Dyshohet se 35 vjeçaren e vrau ish-burri i saj.

Kjo shkaktoi shumë reagime në opinionin publik. /klankosova