Reagon ministrja Haxhiu për vrasjen në QKUK: Krim i rëndë, vrasje e dyfishtë!
Foto: Laura Hasani

Reagon ministrja Haxhiu për vrasjen në QKUK: Krim i rëndë, vrasje e dyfishtë!

Kronika November 30, 2022 - 23:40

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka reaguar pas vrasjes së 35-vjeçares në hyrje të Klinikës së Gjinekologjisë në QKUK.

35-vjeçarja e cila ishte në javën e fundit të shtatzënisë, dyshohet se u privua nga jeta nga ish-bashkëshorti i saj, ku si pasojë e të shtënave me armë zjarri, ka ndërruar jetë edhe foshnja e saj.

Pas kësaj ngjarjeje që ka tronditur tërë vendin, ka reaguar edhe ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, shkruan “Zeri.info”.

Përmes një reagimi në profilin e saj zyrtar në rrjetin social Facebook, Haxhiu këtë e ka cilësuar si krim të rëndë dhe vrasje të dyfishtë.

“Një grua dhe foshnja që priste ta sillte në jetë u vranë tek shkallët e repartit të gjinekologjisë. Krim i rëndë, vrasje e dyfishtë!. Brenda 5 ditëve dy gra të vrara nga bashkëshortët. Gruaja që priste fëmijën të sillte në këtë botë, vritet nga burri i saj, në vendin ku lindin fëmijët e vendit tonë, ku gratë bëhen nëna, nga atje ku lindë një jetë e re. Me shpresën për një botë më të mirë. Një grua që duhej të mbrohej. Ajo u shua. U shua bashkë me fëmijën ende të pa lindur”, ka shkruar ndër të tjerash Haxhiu.

Ajo ka bërë të ditur se nesër do të mblidhet një grup i ngushtë ndërministror për të raportuar në detaje rreth kësaj ngjarje tragjike. /Zëri