Seanca ndaj logopedit Iljasa Fazliu mbahet në spital, s’paraqitet në Gjykatë për arsye shëndetësore

Seanca ndaj logopedit Iljasa Fazliu mbahet në spital, s’paraqitet në Gjykatë për arsye shëndetësore

Kronika November 28, 2022 - 12:08

Në Gjykatën Themelore të Gjilanit mëngjesin e sotëm do të duhej të mbahej seanca për caktimin e masës së sigurisë ndaj logopedit që u arrestua nën dyshimet për abuzim me vajzën që është me autizëm, të cilën familja e kishte dërguar në seancë tek ai.

Për shkak të gjendjes së mjekut, seanca është duke u mbajtur në Spitalin e Gjilanit. Këtë e konfirmoi për Sinjalin drejtori i Spitalit të Përgjithshëm në Gjilan.

Ky rast u zbulua pasi mjeku paraprakisht ishte sulmuar nga babai i fëmijës dhe një familjar i tij, të cilët ia zunë pritën gjatë ditës së djeshme dhe e rrahën në një lokal.

Edhe ndaj tyre, Prokuroria Themelore në Gjilan ka kërkuar caktimin e masës së paraburgimit, me arsyetimin e se është e vetmja masë që mundëson zhvillimin normal të procedurës, duke pasur parasysh rrethanat dhe veprat për të cilat po dyshohen të dyja palët.

Në kërkesën e paraburgimit ndaj Isak Shalës (babai i vajzës) dhe Rilind Vllasaliut, thuhet se të njëjtit me dashje kanë sulmuar mjekun brenda një lokali në Gjilan, duke e akuzuar për trajtim të pandërgjegjshëm mjekësor. Për pasojë, mjeku i dyshuar ka pësuar lëndime trupore. /sinjali