“Po ngacmohet psikologjikisht nga komandanti i stacionit”, IPK deklarohet për rastin e polices në Graçanicë

“Po ngacmohet psikologjikisht nga komandanti i stacionit”, IPK deklarohet për rastin e polices në Graçanicë

Kronika November 15, 2022 - 17:05

Deputetja Duda Balje sot në një postim në Facebook ka thënë se policja Milhata Qela është duke u ngacmuar psikologjikisht nga komandanti i stacionit policor të Graçanicës, Bratislav Trajkoviq.

Ajo tha se ky rast është raportuar në Inspektoratin Policor të Kosovës, mirëpo “asgjë nuk ka ndryshuar sepse ajo as nuk ka marrë përgjigje”.

“Kërkoj nga institucionet kompetente, policia dhe IPK-ja, si dhe ministria që të bëjnë përpjekje për ta hetuar këtë rast dhe për të mos lejuar që të ndodhin raste të tilla”, ka shkruar Balje.

Lidhur me këtë nga IPK kanë thënë se nuk kanë gjetur elemente të veprës penale.

“Inspektorati Policor i Kosovës respektivisht Departamenti i Hetimeve lidhur me rastin në fjalë është njoftuar përmes Linjës së Kaltër (numri i telefonit pa pagesë 0803333)  dhe bazuar në informacionet e pranuara ka filluar të ndërmerr veprime hetimore lidhur me pretendimet e ankueses”, thuhet në përgjigjen e IPK-së për express.

Më tej thuhet se veprimet hetimore përveç tjerash kanë përfshirë deklaratën nga ankuesja si dhe raporte të ndryshme nga zyrtarët policorë që janë konsideruar dëshmitarë në këtë rast.

“Pas zhvillimit të hetimit preliminar, lidhur me të gjeturat IPK është konsultuar me prokurorinë kompetente dhe pasi që nuk janë gjetur elemente të veprës penale rasti është proceduar në Policinë e Kosovës më saktësisht në Drejtorinë për Hetime të Brendshme dhe Verifikim të së Kaluarës, për hetime të mëtutjeshme administrative – disiplinore”, thuhet në përgjigjen e IPK-së .