Policia mohon pretendimet se drejtori i një OJQ-je në veri u sulmua nga njësiti special

Policia mohon pretendimet se drejtori i një OJQ-je në veri u sulmua nga njësiti special

Kronika November 14, 2022 - 16:48

Policia e Kosovës e ka përgënjeshtruar organizatën joqeveritare “Aktiv” me seli në Mitrovicë të Veriut, e cila tha se drejtori ekzekutiv i saj, Miodrag Milliqeviq, është “abuzuar fizikisht dhe verbalisht” nga pjesëtarët e Njësisë Speciale të Policisë së Kosovës.

Në reagimin e saj, policia ka thënë se ky raportim nuk qëndron dhe është i pavërtetë.

“Sot, në orën 09:28 personi në fjalë (M. M.) me automjetin e tij, është paraqitur në vendkalimin kufitar SPK-Jarinjë dhe pas përfundimit të procedurave kufitare i njëjti pa asnjë problem ka vazhduar në drejtim të Republikës së Serbisë. Vlen të potencohet se ndaj të njëjtit nuk ka pasur asnjë incident apo maltretim siç deklarohet apo aludohet në shkrimet e publikuara”, thuhet në reagimin e policisë.

Më tej është bërë e ditur se me qëllim të riverifikimit janë ndërmarrë masa shtesë.

“Zyrtarët policorë me detyrë në Jarinjë kanë pyetur edhe palën serbe nëse dikush ka paraqitur ndonjë ankesë, ku nga mbikëqyrësi i ndërrimit të palës serbe është konfirmuar se deri më tani nuk ka pasur ndonjë ankesë për sjellje jo të mirë apo diçka të kësaj natyre”, ka njoftuar policia.

Në një komunikatë dërguar mediave, Aktiv tha se incidenti ka ndodhur mëngjesin e 14 nëntorit, pranë vendkalimit kufitar me Serbinë - Jarinjë.

Milliqeviq, thuhet në komunikatë, “është ndaluar nga forcat speciale të Kosovës, është ndarë nga kolona dhe gjatë marrjes në pyetje, një pjesëtar i policisë speciale e ka goditur me grusht në bark”, raportoi REL.

“Në të njëjtën kohë, ka pasur edhe ngacmime verbale, pasi policët i kanë bërtitur Milliqeviqit, i kanë kërkuar të heshtë dhe e kanë pyetur se përse nuk ka dokumente të Kosovës”, thuhet në komunikatën e organizatës Aktiv.