Rasti i ngacmimit seksual ndaj Mrika Nikqit, deklarata e prokurorisë dhe reagimet

Rasti i ngacmimit seksual ndaj Mrika Nikqit, deklarata e prokurorisë dhe reagimet

Kronika October 01, 2022 - 08:53

Alpinistja Mrika Nikqi ka njoftuar të premten në mbrëmje se tri ditë më parë ka qenë viktimë e një sulmi seksual derisa po ecte në një rrugë në qendër të Pejës.

Nikqi, përmes një postimi në Facebook, ka njoftuar se “me datë 27. 09.2022, në ora 20.50, në qendër të qytetit te Pejës isha viktimë e sulmit seksual, veprim vandal i cili është kryer me paramendim nga personi F.B, anëtarë i një familje të njohur në qytetin e Pejës”.

“Si pasojë e kësaj situate, për momentin jam në gjendje të rëndë emocionale dhe nuk mund të deklarohem në tërësi. Pas vendimit të plotfuqishëm të Gjykatës do t'ju njoftoj për rrjedhën e situatës dhe sulmuesin e paskrupullt”, ka shkruar Nikqi.

Më tej ajo shkruan “në videon e bashkangjitur, e gjykoni vetë këtë gjest  të shëmtuar, viktimë e të cilit ka mundur të jetë çdo familjarë i juaji”. 

“Unë dhe familja u jemi mirënjohës organeve kompetente dhe qytetarëve të cilët me angazhimin e koordinuar, dhe shumë shpejtë, mundësuan identifikimin dhe arrestimin e sulmuesit i i cili ka lënë një vragë të shëmtuar në jetën time”, ka shkruar Nikqi.

Ndërsa Policia e Kosovës ka bërë të ditur se e ka arrestuar të dyshuarin, ndaj të cilit është caktuar ndalimi policor prej 48 orësh.

Mësohet se personi që e sulmoi seksualisht alpinisten Nikqi, është 25 vjeçari, Flori Beqiraj.

Edhe Drejtoria Rajonale e Policisë në Pejë ka njoftuar se “me datën 27.09.2022, rreth orës 21:30, është paraqitur viktima femër kosovare, e cila informon se deri sa ka qenë duke ecur në rrugën ‘Wesli Clark’ në Pejë, një person i panjohur për viktimën e ka kapur nga pas dhe e ka mbajtur pa dëshiren e saj, duke e prekur në pjesë të ndryshme të trupit”.

“Viktima ka arritur që të largohet nga i dyshuari dhe e njëjta ka ardhur në Stacionin Policor në Pejë, e cila deklaron për ngjarjen si më lartë. Policia menjëherë ka marrë të gjitha masat e nevojshme për zbardhjen e këtij rasti, dhe pas një pune intensive operativo-hetimore, nga hetuesit e Stacionit Policor në Pejë, sot me datë 30.09.2022, është identifikuar dhe arrestuar personi i dyshuar F.B. i lindur me  1997”.

Sipas Policisë së Kosovës, për të gjitha këto veprime është njoftuar Prokurori i shtetit, ndërsa i dyshuari pas intervistimit të prokurorit të shtetit është dërguar në mbajtje për 48 orë.

Në lidhje me këtë rast ka reaguar edhe ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, e cila ka thënë se “ngacmuesit e dhunuesit po e vështirësojnë jetën e vajzave e grave gjithandej Kosovës dhe kjo është e patolerueshme”.

“Për shkak të rritjes së rasteve të dhunës e ngacmimit seksual, para disa javëve kemi punuar në ndryshimin e Kodit Penal në drejtim të ashpërsimit të masave e dënimeve për dhunuesit dhe ngacmuesit”, ka shkruar Haxhiu në Facebook.

Ajo ka thënë se “të njëjtat do t’i finalizojmë dhe procedojmë tutje javën e ardhshme dhe do të përkujdesemi që të gjitha procedurat deri në fuqizim të bëhen në kohë sa më të shpejtë”.

Edhe kryetari i Komunës së Pejës Gazmend Muhaxheri, ka reaguar pas sulmit seksual ndaj alpinistes pejane Mrika Nikqi në një rrugë të Pejës.

Muhaxheri, përmes një postimi në Faceboook, tha se dhuna nuk është çështje private, por çështje sociale e politike.

“Mbi të gjitha, [dhuna] është krim i dënueshëm, për të cilin kërkohet reagimi i secilit prej nesh. Mrika Nikqi, ti je sportistja e dalluar, krenaria e qytetit të Pejës dhe mbarë shqiptarisë”, ka shkruar Muhaxheri. /telegrafi