Shtatë të arrestuarit në rastin “Brezovica 6”, sot para Gjykatës

Shtatë të arrestuarit në rastin “Brezovica 6”, sot para Gjykatës

Kronika September 22, 2022 - 11:36

Në vazhdimësinë e aksionit “Brezovica”, i cili ishte i gjashti me radhë, të mërkurën u prangosën shtatë persona, në mesin e tyre tre zyrtarë të Ministrisë së Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës.

Shtatë të dyshuarit do të dalin sot në orën 11:00 para Gjykatës Themelore të Ferizajt, ka konfirmuar për Gazetën Express prokurori i rastit Rasim Maloku. Aty pritet të bëhet caktimi i masës së paraburgimit.

Prokurori i rastit, Rasim Maloku, tha të mërkurën se një person nuk është hasur në shtëpinë e tij ku sipas familjarëve ai ka udhëtuar jashtë vendit, deri më sot i njëjti nuk është dorëzuar në polici.Të dyshuarit janë ndaluar në kohëzgjatje prej 48 orësh, për shkak të dyshimit se të njëjtit kanë kryer veprat penale “Marrja e ryshfetit”, “Dhënia e ryshfetit” dhe “Ushtrimi i ndikimit”, ka njoftuar Prokuroria.

Gjithashtu, prokuroria ka dhënë detaje se çka është gjetur dhe sekuestruar gjatë kontrollit tek personat e dyshuar, në cilësinë e provave materiale.

“Gjatë kontrollit te i dyshuari B.L., janë gjetur dhe sekuestruar: Certifikatë e pronësisë (10 fletë), Skicë (1 fletë) dhe Telefon mobil, IPHONE 11 PRO, ngjyrë hiri.

Gjatë kontrollit te i dyshuari Sh.Sh., janë gjetur dhe sekuestruar: Dy telefona Samsung, Një Loptop HP, Si dhe dokumente të ndryshme.

Gjatë kontrollit te i dyshuari G.B., janë gjetur dhe sekuestruar: Një telefon Samsung me dy kartela sim card, Një hard disk USB 2.0 me mbishkrim SATA, Një hard disk Apacer, Një kompjuter laptop i markës Lenovo, Një kompjuter laptop i markës Dell, Një kompjuter laptop i markës Acer.

Gjatë kontrollit te i dyshuari B.G., janë gjetur dhe sekuestruar: Një revole me nr serik 54A 040356, 9 fishekë te cal. 45 mm, Dy karikator te revoles, Nje kallf i revoles, Gjatë kontrollit te i dyshuari S.S., është gjetur dhe sekuestruar, Një telefon IPHONE7, ngjyrë e zezë.

Gjatë kontrollit te i dyshuari L.V., janë gjetur dhe sekuestruar: Telefon Iphone 13, ngjyrë Hiri, Laptop “Apple”, Dokumente, Certifikata Kadastra 3 faqe, Kopje Plani 20 faqe, Kontrata të trojeve Brezovicë 27 faqe, Kontarta Trojeve, 30 faqe, Kontrata Fasikell e Kuqe 16 faqe, Mg Energy –MG HC Brezovica-Maktos Group HC Brezovica, 3 Vula, USB dhe një Sd Card, Vetura Mercedes G class, ngjyre e zezë.

Gjatë kontrollit te i dyshuari S.S., janë gjetur dhe sekuestruar: Një pistoletë “Zervena Zasatava me nr serik 1947, Nje karikator dhe 7 fishekë te cal. 7.62 mm, Një veture Toyota, Një veturë “Mercedes G class”,Nje telefon Iphone 13 pro , Tri kartela bankare, Dokumente te ndryshme.

Gjatë realizimit të kontrollit te i dyshuari G.S., në 2 (dy) lokacionet, në cilësi të provave materiale janë gjetur dhe sekuestruar këto deshmi: Një veturë Mercedes Benz S500, Një veturë Toyota Land Cruiser, Një Librezë e veturës, Një Librezë e veturës , Një Telefon Iphone 12 Mini, Një shtëpizë e kompjuterit HP, ngjyre e zezë.

Ndërsa në shtëpinë e dy të dyshuarve G.S., dhe S.S., gjatë kontrollit në cilesinë e provave materiale janë gjetur dhe sekuestruar deshmitë: Veturë Mercedes AMG, Një librezë e veturës, Kontratë mbi shitblerjen e veturës LAND ROVER, çelës ngjyrë e zezë me te bronztë për ndezjen e automjetit Mercedes”, ka njoftuar prokuroria.

Aksioni “Brezovica” ka nisur në dhjetor të vitit 2021, në njërin nga këto aksione ishte arrestuar edhe ish-kryetarit të Shtërpcës Bratisllav Nikoliq. Sipas Prokurorisë Themelore të Ferizajt, Nikoliq dyshohej se kishte pranuar ryshfet dhe dhurata me qëllim të lëshimit të lejeve ndërtimore në Parkun Kombëtar “Sharri”, në vikend-zonën e Brezovicës.

Prokurori Rasim Maloku kishte deklaruar se dyshohej që ish-kryetari i Shtërpcës, Bratislav Nikoliq, ka përfituar mbi 1 milion euro jashtëligjshëm.

Gjatë realizomit të këtyre aksioneve bastisje ka pasur edhe në Ministrinë e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës.

Disa ditë më parë Prokuroria informonte se në koordinim dhe bashkëpunim me Drejtorinë e Krimeve të Rënda në Prishtinë, Inspektoratin e Ministrisë së Mjedisit, Departamentin e Mbrojtjes së Mjedisit, Inspektoratin e komunës, Drejtorinë e Parkut Kombëtar “Sharri” dhe Agjencisë Kadastrale të Kosovës, vazhdonte operacioni për identifikimin dhe regjistrimin e vikend-shtëpizave në zonën e Brezovicës.

“Qëllimi i këtij operacioni është identifikimi i ndërtimit të gjitha objekteve në zonat e mbrojtura të parkut kombëtar se në cilat zona janë ndërtuar ato, a posedojnë leje ndërtimore dhe të njëjtat a janë në pajtim me ligjin”, thuhej në njoftimet e njëpasnjëshme të Prokurorisë.

Numri i personave të arrestuar në aksionet e ndara në rastin “Brezovica” ka shkuar në dhjetëra të arrestuar, si dhe janë sekuestruar gjëra me vlerë prej qindra mijëra eurosh./express