30 ditë paraburgim 22-vjeçares që plagosi Vali Corleonen, jepen detaje si ndodhi ngjarja

30 ditë paraburgim 22-vjeçares që plagosi Vali Corleonen, jepen detaje si ndodhi ngjarja

Kronika August 12, 2022 - 14:29

Gjykata Themelore në Gjilan ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore të Gjilanit, duke i caktuar masën e paraburgimit prej 30 (tridhjetë) ditë të pandehurës A. S., të dyshuarës për plagosjen e Princ (Vali) Corleones ditën e djeshme.

Gjykata thotë se ekziston dyshimi i bazuar se e pandehura në ambient familjar, në prezencë edhe personave të tjerë, “ka tentuar të privojë nga jeta tani të dëmtuarin P. C., në atë mënyrë që derisa kanë qenë duke ndenjur në dhomën e ndejës, ka shkrepë me armë zjarri – pistoletë duke goditur të dëmtuarin në këmbën e djathtë të këmbës, me ç’rast i shkakton dëmtime trupore dhe i njëjti detyrohet të kërkojë ndihmë mjekësore në Spitalin Regjional të Gjilanit”.

“Me këto veprime e pandehura dyshohet se ka kryer veprat penale, vrasje në tentativë dhe mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve, vepra të sanksionuara me Kodin Penal të Republikës së Kosovës (KPRK)”, thotë Themelorja e Gjilanit.

Gjyqtari i procedurës paraprake ka konsideruar se janë plotësuar kushtet ligjore për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të pandehurës, ngase masat tjera alternative do të ishin të pamjaftueshme për zhvillimin me sukses të procedurës penale.

Mediat kanë raportuar se e dyshuara e kësaj vepre është e dashura e Vali Corleones, një 22-vjeçare. /Zëri