Arrestohet një person në Gjilan për blerje, posedim dhe shitje narkotikësh

Arrestohet një person në Gjilan për blerje, posedim dhe shitje narkotikësh

Kronika August 05, 2022 - 09:40

Prokuroria Themelore ne Gjilan, pas informacioneve se një person i dyshuar po merret me shitblerjen e narkotikëve, me urdhër të gjykatës ka bastisur shtëpinë e tij, ku edhe kanë gjetur dhe sekuestruar substanca narkotike.

Sipas njoftimit, ngjarja ka ndodhur gjatë ditës së djeshme në Gjilan, raporton Zeri.info.

“Policia ka konfiskuar një qese e vogël plastike me substancë të dyshuar narkotike të llojit marihuanë me peshë prej 1.4 gramëve, një qese e plastikës me substancë të dyshuar narkotike të llojit marihuanë me peshë prej 29.6 gramëve, një qese e plastikës me substancë të dyshuar narkotike të llojit marihuanë me peshë prej 56.1 gramëve, një peshore elektronike – digjitale, një mulli për bluarje të marihuanës (grinder), si dhe një sasi e qeseve të vogla plasmani (minigripa) që shërbejnë për paketim të narkotikëve”, thuhet në njoftim.

“Me urdhër të prokurorit të Shtetit, është ndaluar për 48 orë personi i dyshuar K.B. (1978) nga Gjilani, për shkak të dyshimit te bazuar se ka kryer veprën penale ‘Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope ose analoge’, nga Neni 267 i KPK-së dhe ndaj të njëjtit është parashtruar kërkesa për caktimin e masës së paraburgimit, pranë Gjykatës Themelore në Gjilan”, thuhet tutje në njoftim. /Zëri