Arrestohet një ofiqar në Komunën e Prishtinës

Arrestohet një ofiqar në Komunën e Prishtinës

Kronika July 05, 2022 - 14:44

Sot është arrestuar një zyrtar i Gjendjes Civile në Komunën e Prishtinës, nën dyshimin për veprat penale “Keqpërdorimi i pozitës ose autoritetit zyrtar” dhe “Falsifikim i dokumentit”.

Ai dyshohet se ka regjistruar persona pa bërë verifikimin se a plotësohen kriteret për regjistrim, duke bërë që disa nga të regjistruarit të krijojnë identitet të dyfishtë, identitet të Kosovës dhe një shteti fqinj, transmeton Zeri.info.

“Hetuesit policorë nga Drejtoria për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit - Sektori për Hetimin e Krimeve Ekonomike, pas hetimeve paraprake, sot kanë arrestuar të dyshuarin R.M., (viti i lindjes 1958, mashkull kosovar), zyrtar i Gjendjes Civile në Komunën e Prishtinës (ofiqar i Zyrës Lokale në Dardani)”.

“I dyshuari ka kryer veprat penale ‘Keqpërdorimi i pozitës ose autoritetit zyrtar’ dhe ‘Falsifikim i dokumentit’. Veprat penale dyshohet se janë konsumuar kur i dyshuari ka regjistruar persona pa bërë verifikimin se a plotësohen kriteret për regjistrim, duke bërë që disa nga të regjistruarit të krijojnë identitet të dyfishtë (identitet të Kosovës dhe një shteti fqinj)”, thuhet në njoftimin e Policisë.

Po ashtu Policia ka sekuestruar edhe prova materiale.

“Gjatë kontrollit janë gjetur dhe në cilësi të provave materiale janë sekuestruar përkohësisht:

- Një telefon celular;

- 60 fishekë të kalibrit 7.62 mm;

- Një karikator i armës;

- Dokumente të ndryshme, certifikata, vërtetime të regjistrimit, foto të librave amzë dhe dokumente të tjera të personave të ndryshëm.

Me aktvendim të prokurorit të Shtetit, të dyshuarit i caktohet masa e ndalimit prej 48 orëve dhe dërgohet në qendrën e mbajtjes”, thuhet në njoftim. /Zëri