Paraburgim për dy prizrenas, dyshohet se dhunuan një femër

Paraburgim për dy prizrenas, dyshohet se dhunuan një femër

Kronika June 24, 2022 - 17:21

Gjykata Themelore në Prizren ka caktuar masën e paraburgimit prej një muaji, ndaj dy të pandehurve E.S. dhe T.J., pasi dyshohen se kanë kryer veprën penale dhunim.

Sipas njoftimit thuhet se, Gjykata me rastin e caktimit të masës së paraburgimit ndaj të pandehurve ka vlerësuar se ekzistojnë arsyet ligjore për caktimin e masës së paraburgimit.

“Nga provat e mbledhura deri në këtë fazë, rrjedh dyshimi i bazuar se në periudhën kohore 16 dhe 17 qershor.2022 në orë të pacaktuar, të pandehurit së bashku e detyrojnë viktimën – të dëmtuarën për të kryer akt seksual pa pëlqimin e saj, në atë mënyrë që e shoqërojnë në një shtëpi e detyrojnë që të konsumon pije alkoolike dhe substanca narkotike e sjellin në situatë pa vetëdije me ç ‘ rast i pandehuri T. e godet me një mjet të fortë në kokë dhe kryejnë marrëdhënie seksuale me viktimën”, thuhet në njoftim, raporton Zeri.info.

“Me rastin e caktimit të paraburgimit, Gjykata ka marrë parasysh peshën e rëndë të veprës penale, dhe faktin se procedura hetimore është në fazën fillestare, dhe në vazhdim duhet të merren në pyetje dëshmitarë eventual, të bëhen ekzaminime mjekësore dhe të mblidhen prova të tjera për zbardhjen e së vërtetës, andaj është vlerësimi i gjykatës se caktimi i paraburgimit për këtë pikë është i arsyeshëm pasi që me mbetjen e të pandehurve në liri, të njëjtit mund të ndikoj në të dëmtuarën – dhe dëshmitarët e lartpërmendur, në mënyrë që të ndërrohen deklarimet e tyre, kështu që kjo do të pengonte zhvillimin normal të hetimeve”.

“Me rastin e caktimit të paraburgimit, gjyqtarja ka marrë parasysh edhe karakteristikat personale të të pandehurve, dhe nga verifikimi i tyre të njëjtit rezultojnë përsëritës të veprave penale të shumta, dhe kjo tregon rrezikun se me lënien në liri të njëjtit mund të arratisen me qëllim të shmangies nga përgjegjësia penale, dhe të njëjtit mund të përsërisin vepra penale të ngjashme apo edhe më të rënda ndaj të dëmtuarës apo persona të tjerë, me qëllim të dëmtimit të procedurës hetimore”.

“Nga rrethanat e lartcekura, gjyqtarja e procedurës ka ardhur në përfundim se caktimi i paraburgimit në këtë fazë është i domosdoshëm dhe i arsyeshëm, me qëllim të zhvillimit efikas të procedurës hetimore, sigurimit të prezencës së të pandehurve në procedurë gjer në sqarimin e rrethanave për të cilën ekziston dyshimi i bazuar se të pandehurit kanë kryer veprën penale e cila i vihet në barrë”, thuhet në njoftim.

Kundër këtij vendimi, pala e pakënaqur ka të drejtë ankese, në Gjykatën e Apelit, ndërsa thuhet se ankesa kundër këtij aktvendimi nuk e shtynë ekzekutimin e tij. /Zëri