Nëna dërgon foshnjën 9-muajshe pa shenja jete në Spitalin e Pejës, dyshohet se vdiq nga helmimi

Nëna dërgon foshnjën 9-muajshe pa shenja jete në Spitalin e Pejës, dyshohet se vdiq nga helmimi

Kronika June 22, 2022 - 09:18

Një ngjarje e rëndë ka ndodhur të martën, në orët e pasdites, në Pejë. Në Emergjencën e Spitalit të këtij qyteti u dërgua pa shenja jete një foshnjë 9-muajshe.

Sipas informatave të para nga ekipi mjekësor, fëmija dyshohet se ka vdekur si pasojë e helmimit.

Burimet e Sinjalit brenda Emergjencës kanë bërë të ditur se fëmijën e dërgoi në këtë qendër nëna, e cila ka deklaruar se është nga Ferizaj, por që është duke punuar qe dy muaj në fshatin Bogë dhe nga atje e kishte transferuar foshnjën në spital.

Policia është njoftuar nga spitali lidhur me rastin, ndërkohë që një patrullë ka dalë në vendin e ngjarjes, për të marrë një deklaratë nga nëna.

Për t’i zbardhur rrethanat e ngjarjes dhe për ta gjetur shkaktarin prej të cilit vdiq fëmija, prokurori i Shtetit ka urdhëruar që trupi të dërgohet në IML për obduksion.