Nëntë vjet burg dhe 2400 euro gjobë dy të akuzuarve për vjedhje, mbajtje dhe tentim të shitjes së armëve

Nëntë vjet burg dhe 2400 euro gjobë dy të akuzuarve për vjedhje, mbajtje dhe tentim të shitjes së armëve

Kronika May 19, 2022 - 15:54

Isran Amidi është dënuar me 4 vjet e 6 muaj burgim dhe 1 mijë e 400 euro gjobë, Egzon Hyseni po ashtu me 4 vjet e 6 muaj burgim dhe 1 mijë euro gjobë. Ata janë shpallur fajtorë për vjedhje të armëve, mbajtje në pronësi të armëve dhe tentim të shitjes së tyre, po ashtu ndaj të akuzuarit Amidi u shpall aktgjykim dënues edhe për posedim të paautorizuar të narkotikëve.

Aktgjykimi dënues ndaj Amidit dhe Hysenit është shpallur të enjten në Gjykatën Themelore të Gjilanit nga gjyqtari Islam Thaçi,

Sipas aktgjykimit të akuzuarit Isran Amidi dhe Egzon Hyseni për veprën penale “Vjedhje e Rendë”, secilit veç e veç i është shqiptuar dënim me burg prej 3 viteve.

Për veprën penale të diapozitivit të dytë “Mbajtja në pronësi, në kontroll, ose posedim të paautorizuar të armëve”, të akuzuarve Isran Amidi dhe Egzon Hyseni secilit veç e veç i është shqiptuar dënim me burgim në kohëzgjatje prej 8 muajsh.

Sipas aktgjykimit për veprën penale të diapozitivit të tretë “Importi, eksporti, furnizimi, transportimi, prodhimi, këmbimi, ndërmjetësimi ose shitja e paautorizuar e armëve apo materieve plasëses”, ”, të akuzuarve Isran Amidi dhe Egzon Hyseni secilit veç e veç i është shqiptuar dënim me burg prej 1 viti dhe dënim me gjobë prej 1000 euro.

I akuzuari Isran Amidi për veprën penale të diapozitivit katër “Posedimi i paautorizuar i narkotikeve, substancave psikotrope ose analoge” sipas aktgjykimit është dënuar me dënim  me gjobë prej 400 euro.

Në dënimet e shqiptuara me burgim do të iu llogaritet edhe koha e qëndrim në paraburgim përkatësisht në arrest shtëpiak.

I dëmtuari për realizimin e kërkesës pasurore juridike është udhëzuar në kontest civil.

Palët e pa kënaqura kundër aktgjykimit kanë të drejtë ankesa në afat prej 15 ditësh.

Ndryshe, gjatë shqyrtimit fillestar, të akuzuarit Isran Amidi dhe Egzon Hyseni, e kanë pranuar fajësinë për veprat penale të dispozitivit të parë dhe të dytë, e po ashtu i akuzuari I.A, e ka pranuar fajësinë edhe për veprën penale të dispozitivit të katërt.

Sipas aktakuzës, më 15 nëntor 2020, në fshatin Malishevë, Komuna e Gjilanit, të pandehurit me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm pasuror për vete apo për personin tjetër, kanë kryer vjedhje të rëndë në dëm të të dëmtuarit M.I, në atë mënyrë që me përdorimin e forcës me anë të një mjeti te fortë-paiser, kanë hapur një dritare në katin përdhesë të shtëpisë së të dëmtuarit, nëpërmjet të cilës kanë depërtuar brenda, kanë demoluar dhomat e shtëpisë dhe kanë marrë një kasafortë të hekurt.

Aktakuza thotë se të njëjtën kasafortë e kanë dërguar në një mal dhe pasi që e kanë thyer kasafortën, nga aty kanë marrë: një armë AK-47, një pushkë gjuetie “Altay Magnum”, një pushkë pumparice, 15 fishekë të gjuetisë të kalibrit 12A, 33 fishekë të kalibrit 9mm, një pushkë karabin RKS-2019,  57 fishekë. Me çka, të dëmtuarit i kanë shkaktuar dëm material në vlerë të papërcaktuar.

Me çka, akuzohen se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “Vjedhje e Rendë” nga neni 315, par.2, nënpar. 2.5 dhe lidhur me nenin 31 të KPRK-së, e dënueshme me burgim prej tre deri në 10 vjet.

Sipas dispozitivit të dytë të aktakuzës, më 15 nëntor 2020, të pandehurit në mënyrë të paautorizuar e në shkelje të ligjit të zbatueshëm për armët kanë mbajtur në pronësi armë dhe atë armët e vjedhura si në dispozitivin e parë: një pushkë gjuetie “Altay Magnum”, një pushkë pumparice, 15 fishekë të gjuetisë të kalibrit 12A, 33 fishekë të kalibrit 9mm, një pushkë karabin RKS-2019,  57 fishekë, të cilat armë janë konfiskuar nga zyrtarët policorë.

Me çka, ngarkohen se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “mbajtja në pronësi, në kontroll, ose posedim të paautorizuar të armëve” nga neni 366, paragrafi 1 lidhur me nenin 31 të KPRK-së, e dënueshme me gjobë deri në 7 mijë e 500 euro ose me burgim deri në pesë vjet.

Tutje, sipas dispozitivit të tretë të aktakuzës, më 15 nëntor 2020, në Gjilan, të pandehurit pa autorizim kanë tentuar të shesin armë atë: një pushkë gjuetie “Altay Magnum”, një pushkë pumparice, dhe nje pushkë karabin RKS-2019, të cilat armë i kanë siguruar gjatë kryerjes së veprës penale vjedhje e rëndë në shtëpinë e të dëmtuarit M.I, në fshatin Malishevë, Komuna e Gjilanit.

Me çka, akuzohen se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “‘importi, eksporti, furnizimi, transportimi, prodhimi, këmbimi, ndërmjetësimi ose shitja e paautorizuar e armëve apo materieve plasëses”, nga neni 364, paragrafi 1 lidhur me nenin 28 dhe 31 të KPRK-së, e dënueshme me gjobë deri në 7 mijë e 500 euro dhe me burgim prej një 1 deri në 8 vjet.

Ndërsa, sipas dispozitivit të katërt të aktakuzës, i pandehuri Isran Amidi më 15 nëntor 2020, në fshatin Malishevë, Komuna e Gjilan, me qëllim të posedimit të narkotikëve, gjatë ndalimit nga Policia NJHS ne Gjilan, me rastin e kontrollimit në xhepin e xhinseve të tij, kanë gjetur 0.62 gram narkotikë të llojit kokainë, e cila i është konfiskuar nga ana e policisë.

Me çka, ngarkohet se ka kryer veprën penale “posedimi i paautorizuar i narkotikeve, substancave psikotrope ose analoge” nga neni 269 par. 2 te KPRK, e dënueshme me gjobë ose me burgim deri në një vit.