Policia kërkon mirëkuptim nga qytetarët, rreth vizitës së Gjukanoviqit në Prishtinë

Policia kërkon mirëkuptim nga qytetarët, rreth vizitës së Gjukanoviqit në Prishtinë

Kronika May 17, 2022 - 22:06

Me rastin e vizitës së presidentit të Malit të Zi Milo Gjukanoviq në Prishtinë, Policia e Kosovës do të bëjë ndërprerje të përkohshme të qarkullimit të trafikut të disa segmenteve rrugore dhe në lokacione të caktuara ku parashihen të realizohen aktivitete zyrtare.

Sipas njoftimit thuhet se, përgjatë kësaj vizite Policia e Kosovës do të kujdeset për ofrimin e sigurisë dhe mirëmbajtjen e rendit e qetësisë publike, gjatë kohës së lëvizjes së eskortës dhe qëndrimit të delegacionit shtetëror në Kosovë, raporton Zeri.info.

“Policia e Kosovës kërkon mirëkuptim të plotë nga ana e qytetarëve dhe pjesëmarrësve në trafik, për të mundësuar qarkullimin dhe riorientimin e trafikut në rrugë alternative në lokacionet ku pritet të kalojë eskorta do të angazhohen zyrtarë policorë të njësiteve relevante”, thuhet në njoftimin e PK-së.

Kujtojmë se Gjukanoviqi nesër do të arrijë për vizitë zyrtare dyditore në Kosovë ku do të takohet me presidenten Vjosa Osmani, kryetarin e Kuvendit Glauk Konjufca. Me këtë rast kreut të shtetit të Malit të Zi nga komuna e Prishtinës do t’i ndahet Çelësi i qytetit. /Zëri